Nis faza e dytë për fituesit e kredisë së butë. Ja dokumentet që duhet të dorëzoni
Pas shpalljes së fituesve të fazës së parë për kredi të butë, Bashkia e Tiranës ka nisur tashmë fazën e dytë, që është ajo e plotësimit të dokumenteve.
Të gjithë familjarëve që u ka dalë emri në listën e fituesve, deri në datën 17 Korrik duhet të paraqiten pranë zyrës së pritjes me qytetarin në Bashkinë e Tiranës dhe të dorëzojnë dokumentet si më poshtë për vijimin e fazës së dytë.
Përveç shtimit të numrit të bankave që do të ofrojnë këtë shërbim , Bashkia e Tiranës ka lehtësuar edhe procedurën duke lehtësuar plotësimin e dokumentacionit. Tashmë do të jetë institucioni që do të merret me plotësimin e dosjes. Kështu, familjet përfituese pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Strehimit, depozitojnë pranë Njësisë Adminsitrative deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të. Njësia Administrative/Lagjia plotëson dosjen me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë edhe dokumentacionin që sipas akteve në fuqi duhet të depozitohen kryesisht nga aplikanti dhe ia përcjell ato në Bashkinë Tiranë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social. Në të kundërt, nëse aplikanti/familjet nuk dorëzojnë apo refuzojnë të firmosin deklaratën e parashikuar si më lart, Njësitë Administrative/Lagjet shkarkohen nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Në këtë rast, individët do të dorëzojnë pranë Zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë Tiranë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues.
Që me zgjedhjen e Veliajt pesë vite më parë, Bashkia Tiranë duke konsideruar trendin në rritje të kërkesave për subvencionimin e interesave të kredisë për blerjen e apartamenteve të banimit, hartoi një program specifik, tërësisht i buxhetuar prej saj, për këtë qëllim. Gjatë viteve 2017-2018 janë shpallur fitues 2103 familje.