Nis pastrimi i rrugëve dhe zonave publike pas reshjeve në Vlorë
Pas reshjeve të fundit të shiut bashkia e Vlorës po punon për të siguruar që qyteti të mbetet i pastër dhe i sigurt për të gjithë.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha sot se “ekipet tona po punojnë pa ndalim për pastrimin e rrugëve dhe zonave publike të prekura nga reshjet. Kudo që është e nevojshme, ne jemi atje për të mbajtur qytetin tonë të pastër dhe të sigurt”.
Dredha po inspekton nga afër në çdo lagje, për të evidentuar problematikat dhe dëmet e shkaktuara nga reshjet.
Ndërsa mbrëmjen e djeshme kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha tha se “të gjitha strukturat e bashkisë kanë punuar me përkushtim për t’u përballur me pasojat e reshjeve të dendura, duke përfshirë ekipet e pastrimit, shërbimet emergjente, si dhe mbështetjen nga Ministria e Mbrojtjes. Falë solidaritetit, kemi marrë ndihmë nga bashki të tjera, si Shkodra, Tirana, Durrësi, Berati dhe Fieri, për të vendosur situatën nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur”.
“Përpjekjet tona janë përqendruar për të ndihmuar çdo familje dhe biznes të prekur nga reshjet. Në ditët në vijim, bashkia, së bashku me grupet e dedikuara, do të dalë në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për t’u siguruar që ata marrin mbështetjen financiare të nevojshme, për të rikthyer normalitetin në jetët e tyre. Si gjithmonë, bashkia e Vlorës është pranë komunitetit dhe do të bëjë çmos për të mbështetur ata që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Edhe pse situata ishte përtej parashikimeve dhe mundësive tona, me reshje prej 180 mm në dy orë, jemi të vendosur të mos ndalemi për të adresuar çdo problem që do të dalë”, theksoi Dredha.