Nis prodhimi i armëve shqiptare, lehtësi tatimore dhe administrative

Qeveria shqiptare i hap rrugë ngritjes së industrisë ushtarake dhe kompanitë do të përjashtohen nga një sërë taksash. Norma e tatimit mbi të ardhurat korporative për 10 vitet e para të fillimit të aktivitetit do të jetë 0%. Lehtësi të tjera fiskale përfshijnë përjashtimin nga taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak, ndërsa tjetër lehtësi është edhe shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar prej 10% për furnizimin ose shitjet e armatimit ushtarak.

Kompanitë do të ketë mbështetje për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës ndihmëse, si: rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike dhe telekomunikacion, të cilat janë thelbësore për funksionimin e aktivitetit të subjektit, si dhe qasje në fonde dhe programe mbështetëse për kërkim dhe zhvillim në fushën e teknologjive të mbrojtjes.

Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes është autoriteti përgjegjës për marrjen e masave administrative në rast se konstatohen shkelje nga kompanitë e prodhimit të armëve. Për të gjitha kompanitë që përfshihen në testimin e armatimit ushtarak ose aktivitetet e specializuara pa miratim nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, parashikohen gjoba nga 5 milionë deri në 50 milionë lekë.

SHKARKO APP