Nis rikonstruksioni i degëzimit të Veksharit në Draçin, ndërhyjmë me investime konkrete në çdo lagje të Shkodrës
Bashkia e Shkodrës ka nisur një tjetër ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturën rrugore të qytetit, këtë herë në lagjen Draçin. Lajmi është bërë me dije nga vetë Kryebashkiaku Benet Beci, i cili përmes një video të punimeve të ndarë në rrjetet sociale ka prezantuar fillimin e kësaj sipërmarrje për rikonstruksionin e plotë të degëzimit të Veksharit.
Sipas kryebashkiakut Beci, ky investim kapilar synon të rrisë ndjeshëm sigurinë rrugore dhe të lehtësojë qarkullimin e përditshëm për banorët e kësaj zone, e cila prej kohësh kishte nevojë për ndërhyrje.
Projekti i rikonstruksionit nuk do të mjaftohet vetëm me shtrimin e rrugës, por parashikon një ndërhyrje të thellë e të integruar në rrjetin nëntokësor dhe mbitokësor. Konkretisht, punimet në këtë aks përfshijnë, asfaltimin e plotë të trupit të rrugës sipas standardeve teknike, vendosjen e bordurave dhe krijimin e hapësirave të dedikuara; sistemimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe ujërave të zeza, duke zgjidhur një problematikë të kahershme për lagjen, instalimin e sinjalistikës së re rrugore, vertikale dhe horizontale, për garantimin e sigurisë së këmbësorëve dhe drejtuesve të mjeteve.
Në mesazhin e tij, kreu i Bashkisë Shkodër nënvizoi se ky kantier është vetëm një pjesë e mozaikut të investimeve që po shtrihen në të gjithë territorin e bashkisë.
“Punët vazhdojnë çdo ditë, me investime konkrete në çdo lagje të Shkodrës, për një qytet më funksional dhe me standarde më të mira infrastrukturore,” u shpreh Beci, duke rikonfirmuar angazhimin e administratës vendore për transformimin urban të qytetit.
Me këto ndërhyrje sistematike, Shkodra po përson një përmirësim të dukshëm në cilësinë e jetesës, duke i kthyer lagjet periferike dhe ato qendrore në hapësira më të aksesueshme dhe me infrastrukturë moderne.
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

