Nis vala e shkarkimeve/ “Kurbani” i parë i ligjit për dekriminalizimin. Gabimi që i kushtoi zyrtarit
“Urdhërohet pezullimi i dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin L. Z. për një periudhë kohe prej 8 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale”, thuhej në vendimin e gjykatës. Referuar vendimit, referimi penal për të pandehurin L. Z. është bërë nga Sektori i Verifikimit të Integritetit pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas këtij referimi, inspektori i AKUsë, në formularin e vetëdeklarimit, në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji për dekriminalizimin, ka deklaruar të dhëna të rreme lidhur me të kaluarën kriminale. Gjatë procesit paraprak të verifikimit është konstatuar fakti se i pandehuri ka një vendim penal nga Gjykata e Tiranës.
Nga informacioni zyrtar përcjellë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka rezultuar se ai ka pasur një dënim me 100 mijë lekë gjobë nga Gjykata e Tiranës, në vitin 2004. Ai ishte fajësuar për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfundimisht ishte gjobitur me 66.6 mijë lekë. Sipas gjykatës, pavarësisht këtij fakti, në formularin e vetëdeklarimit i pandehuri i është përgjigjur “Jo” pyetjes, nëse ishte dënuar ndonjëherë me vendim të formës së prerë nga gjykatat shqiptare apo të huaja./Panorama

