Nis zbatimi i projektit “Vjosa e Gjelbër”, ministri Jaupaj: Në fokus zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e biodiversitetit
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e parë të Komitetit Drejtues të projektit ”Vjosa e Gjelbër-Zhvillim rajonal i gjelbër dhe gjithëpërfshirës në zonën e ujëmbledhësit të Parkut Kombëtar të Vjosës”, një nismë strategjike që synon forcimin e mbrojtjes së natyrës dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm në zonë.
Projekti po zbatohet në bashkëpunim me Qeverinë Federale Gjermane dhe përfaqëson një qasje të integruar që lidh ruajtjen e biodiversitetit me zhvillimin ekonomik lokal dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve. Me një financim prej 3 milionë eurosh dhe me afat zbatimi deri më 31 janar 2029, projekti synon të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm të zonës së Parku Kombëtar i Vjosës, si dhe të mbështesë përpjekjet për përfshirjen e saj në rrjetin e rezervave të biosferës së UNESCO-s.
Në fokus të nismës është përfshirja aktive e komuniteteve lokale dhe zhvillimi i ekonomisë së bazuar në natyrë, përmes promovimit të turizmit të qëndrueshëm dhe përdorimit të përgjegjshëm të burimeve natyrore. Jaupaj theksoi edhe se projekti “Vjosa e Gjelbër” përfaqëson një model të rëndësishëm bashkëpunimi ndërkombëtar për zhvillim të gjelbër, duke synuar ruajtjen e një prej ekosistemeve më të rëndësishme lumore në Europë dhe forcimin e perspektivës ekonomike të zonës.
KOHA JONË SONDAZH

