Nishani dekoron Ambasadorin Nigido dhe Gjeneralin Cucchi

Sot në mesditë, në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës u zhvillua ceremonia e dekorimit të Ambasadorit Roberto Nigido, të cilin Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Nënë Tereza” në shenjë mirënjohjeje për angazhimin në hartimin dhe zbatimin me sukses të operacionit ‘Alba’ gjatë krizës së vitit 1997 në Shqipëri, si dhe për sigurimin e mbështetjes politike dhe ekonomike të Italisë në kapërcimin e krizës, në interes edhe të stabilitetit e paqes në të dyja anët e Adriatikut dhe hapësirës evropiane.

Gjithashtu Presidenti Nishani vlerësoi Gjeneralin Giuseppe Cucchi me “Dekoratën e artë të shqiponjës” në shenjë mirënjohjeje për ideimin, përcaktimin dhe drejtimin me sukses të operacionit ‘Alba’ në Shqipëri, në çastet e vështira të krizës së vitit 1997, nëpërmjet nxitjes së nismave të ndryshme në Itali dhe koordinimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Italisë, në mbështetje të operacionit dhe rikthimin e rendit e qetësisë në vend.

Në fjalën solemne me këtë rast, Kreu i Shtetit shqiptar theksoi mes të tjerash se ka nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që edhe në emër të popullit shqiptar të shprehë mirënjohjen për dy personalitete italiane, të cilët dhanë kontributin të çmuar në një moment shumë të vështirë për Shqipërinë dhe demokracinë e re shqiptare.

“Në ato momente dramatike që përkonin edhe me fillesat tona demokratike, kur vendit, por edhe rajonit i kanoseshin rreziqe shumëdimensionale nga kaosi dhe anarkia, miqtë e Shqipërisë, me iniciativë të Italisë miratuan në Kombet e Bashkuara një rezolutë për të ndihmuar dhe rikthyer qetësinë dhe stabilitetin në vend përmes operacionit shumëkombësh ‘Alba.’ Mendoj se është shumë e rëndësishme që jo vetëm mësimi i marrë nga ajo periudhë të mos harrohet e të mos përsëritet më kurrë, por nuk do të duhet të harrohet edhe kontributi dhe ndihma bujare e Italisë dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.” – u shpreh Presidenti.

“Prandaj edhe unë ndihem sot i nderuar për të organizuar këtë ceremoni dhe për të dekoruar dy personalitete italiane që në vitin 1997 luajtën një rol të rëndësishëm diplomatik dhe ushtarak. Ata u angazhuan intensivisht në përgatitjen, koordinimin dhe vënien në jetë të operacionit shumëkombësh ‘Alba’ ku Italia kishte një rol drejtues dhe prezencën ushtarake më të madhe. Si Presidenti i Republikës, besoj se duke dekoruar sot Ambasadorin Nigido dhe Gjeneralin Cucchi ne shqiptarët shprehim në mënyrë modeste mirënjohjen tonë për kontributin individual të tyre në qetësimin e situatës dhe kthimin e rendit dhe qetësisë në vitin 1997, por gjithashtu në këtë mënyrë na jepet mundësia për të rishprehur mirënjohjen për gjithçka që Italia dhe populli italian kanë bërë në më shumë se dy dekada që pas ndryshimeve demokratike për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe çështjeve sociale në Shqipëri, si dhe për të rishprehur vlerësimin për miqësinë historike dhe shumëdimensionale mes dy vendeve tona si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer aktual që kemi, dhe Italia si një partnere strategjike dhe një nga avokatet më të mira në procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.” – vuri në dukje Presidenti Nishani.

SHKARKO APP