Nishani: Komuniteti shqiptar në Mal të Zi, faktor i rëndësishëm stabiliteti

Presidenti Bujar Nishani, zhvilloi një vizitë në komunën urbane me shumicë shqiptare të Tuzit, ku vizitoi Shkollën 9-vjeçare Mahmut Lekiç.

Në pritje të Presidentit të Republikës kishin dalë drejtuesit, mësuesit dhe nxënësit e Shkollës Mahmut Lekiç si dhe shumë prindër, të cilët e përshëndetën ngrohtësisht Presidentin e Shqipërisë.

Kreu i Shtetit u shpreh se një nga vlerat e çmuara të shqiptarëve ndër shekuj ka qenë respekti ndaj tjetrit, nga ku buron dhe e drejta legjitime e universale për t’u respektuar në mënyrë reciproke.

Ndërsa në takimin me përfaqësuesit e partive politike dhe të zgjedhurit vendorë të komunës urbane të Tuzit, Presidenti i Republikës i informoi ata mbi takimet e zhvilluara me përfaqësuesit më të lartë të shtetit malazez dhe mbi mesazhet e përcjella.

Duke vlerësuar rolin e komunitetit shqiptar në Mal të Zi si një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe urë lidhëse mes dy vendeve, Presidenti Nishani theksoi se gjeti mirëkuptim dhe angazhim maksimal e të sinqertë nga drejtuesit më të lartë shtetëror për të adresuar kërkesat e pakicës kombëtare shqiptare në Mal të Zi.

Kreu i Shtetit nënvizoi se do të mbështesë dhe ndjekë në vijimësi trajtimin e çështjeve që u diskutuan gjatë vizitës në Mal të Zi, ashtu sikurse vlerësoi maksimalisht rolin tejet pozitiv që faktori shqiptar luan në procesin e integrimeve evropiane e euroatlantike të Malit të Zi.

Ndërkaq, ai u njoh me problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Malit të Zi dhe përfaqësuesit e tyre politik në nivel qendror dhe lokal.

SHKARKO APP