Nishani uron Papa Françeskun në 2-vjetorin e zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë

Presidenti i Republikës Bujar Nishani i dërgoi sot një mesazh urimi Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, në 2-vjetorin e zgjedhjes në krye të Selisë së Shenjtë.

Përmes një njoftimi për mediat, zyra e shtypit pranë Presidencës bëri të ditur se, në emër të popullit shqiptar, Kreu i Shtetit i dërgoi urimet më të përzemërta e miqësore Atit të Shenjtë për përmbushjen e misionit hyjnor.

 “Shqipëria dhe gjithë kombi shqiptar ruajnë ende të freskëta mbresat e vizitës Suaj Papnore në Shqipëri. Të gjithë shqiptarët ndjehen thellësisht të bekuar nga fryma paqtore e hyjnore e mesazheve Tuaja të paqes e bashkëpunimit, si dhe për vlerësimin e lartë që Ju i bëtë bashkëjetesës ndërfetare në vendin tim, duke i dhënë kësaj veçorie shqiptare një dimension botëror”, thuhet në mesazhin e Presidentit Nishani. Kreu i Shtetit shpreh gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri, që krahas veprimtarive të saj shpirtërore, ka dhënë një ndihmesë shumë të vyer edhe për kapërcimin e vështirësive të ndryshme sociale, veçanërisht në arsim, shëndetësi, por edhe për ndihma në raste fatkeqësish dhe situata të jashtëzakonshme, etj..

Ai garantoi angazhimin personal, por edhe të popullit shqiptar, në forcimin dhe pasurimin e mëtejshëm të lidhjeve institucionale dhe shpirtërore që ekzistojnë midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në përçimin e vlerave të bashkëjetesës ndërfetare dhe në shërbim të paqes në botë. “Së bashku me urimet e mia për shëndet, lumturi e suksese në përmbushje të misionit Tuaj Papnor, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, përfundon mesazhi i Presidentit Nishani drejtuar Atit të Shenjtë.

SHKARKO APP