Nisin punimet për rikualifikimin urban në rrugën “Myslym Shyri”
Blloku i pallateve dhe shtëpive private mes “Rrugës së Kavajës” dhe Rrugës “Myslym Shyri” ka nisur rikualifimin urban duke marrë dita-ditës një pamje të re.
Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj, i cili inspektoi punën e nisur prej pak javësh për rikualifikimin urban të zonës, vuri theksin te 50 kantieret e hapura në të gjithë qytetin dhe angazhimi i bashkisë për t’iu përgjigjur qytetarëve me investime.
“Kjo është një nga zonat model të Tiranës kur vjen puna te pagesa e taksave dhe korrektesën e treguar ndaj bashkisë. Pas shumë viteve erdhi koha që bashkia t’i kthejë investimin dhe t’i tregojë qytetarëve se me këtë rikualifikim i shtojmë vlerën çdo banese. Mjafton të shikosh rreth e qark e të kuptosh që këtu ka nevojë për dorë kudo, në fasada, trotuare, këndet e lodrave dhe në infrastrukturën e parkimit”, tha ai.
Veliaj shtoi se bashkia po punon maksimalisht për të garantuar kushte sa më të mira, edhe pse është e vështirë të zhbëhet gjithçka që nuk është bërë si duhet në këto 25 vjet. Por, ai garantoi se përfundimi i punimeve në këtë bllok, si edhe në 50 kantieret ku po punohet aktualisht, garanton standardet e duhura për një jetesë normale.
“Këtu jemi në 1 nga 50 kantieret që kemi hapur në Tiranë, ndaj u kërkoj qytetarëve mirëkuptim, teksa po punojmë në 38 segmentet mes “Myslym Shyrit” dhe “Rrugës së Kavajës”.
Kryebashkiaku tha se bashkia po punon hap pas hapi për të mos dëmtuar punët e kryera më parë, të cilat janë jo vetëm kosto financiare shtesë, por edhe shtim problematikash për qytetarët. Për këtë, ai theksoi se në fillim po punohet për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit, ujërave të zeza, telefoni, ndriçim, dhe më pas do të kalohet me infrastrukturën në sipërfaqe.
KOHA JONË SONDAZH

