Nisin reshjet e borës në Korçë, drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes!
Prej orës 7 të mëngjesit, qarku i Korçës është përfshirë nga reshje bore me intensitet të ulët.
Zonat me reshjet intensive janë zona e Ersekës dhe fshati i Dardhës, ndërkohë që sipas zyrtarëve të autoritetit lokal të rrugëve nacionale nuk paraqiten probleme përsa i përket qarkullimit të automjeteve në akset kryesore, edhe pse bëjnë të ditur që drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes për shkak të lagështisë.
Gjithashtu po punohet nga kontraktoret me pastrim dhe kriposje në rrugët që sipas tyre paraqesin më shumë probleme.
Dëbora ka vazhduar të bjerë me intensitet të ulët edhe mëngjesin e së dielës. Trashësia e saj njoftohet se është më e madhe në zonat më të larta malore të Korçës.
Fshatrat turistikë të Dardhës dhe Voskopojës ku ka të dhëna se ka rënë afro 10 centimetra dëborë, me rënien e këtyre reshjeve nuk u mbetet tjetër veçse të presin më shumë pushues.
Aksi Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe pjesa e Qarrit ka deri në 7 cm bore dhe kalohet vetëm me zinxhirë. Në Qarr ka probleme pasi është bllokuar rruga nga automjetet që kanë mbetur në rrugë, pasi nuk kishin zinxhirë.
Zona të bllokuara deri më tani nuk ka.