Niveli i detit rritet ndjeshëm në Radhimë, shqetësim për peshkatarët
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 02:45, në qytetin e Vlorës është regjistruar një rritje e pazakontë e nivelit të detit, një fenomen që, sipas peshkatarëve vendas, nuk është vërejtur më parë me këtë formë dhe intensitet.
Uji ka avancuar drejt tokës, duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit në Radhimë, ndërsa varkat e ankoruara janë tendosur fort nga litarët për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit të detit. Po ashtu, uji ka vërshuar në magazinat pranë portit të peshkimit, duke krijuar një situatë shqetësuese për mjetet dhe pajisjet e punës.
Sipas dëshmive të peshkatarëve, rritja e nivelit të detit ka qenë shumë më e madhe se baticat e zakonshme, duke arritur gati në 1 metër, madje edhe më shumë. Ata shprehen se, nëse kjo situatë vazhdon, ekziston rreziku që uji të dalë në rrugë dhe të shkaktojë dëme të mëtejshme.
Gjithashtu, është vënë re se disa peshq kanë dalë në tokë, një fenomen që zakonisht ndodh gjatë detit të trazuar ose ndryshimeve të forta të nivelit të ujit.
Peshkatari Sherif Dyrmishaj shprehet se këto ndryshime klimatike po i surprizojnë çdo ditë e më shumë:
“Niveli i detit ka qenë mbi normalen dhe madje turma peshqish kanë dalë në tokë, gjë që nuk është normale. Niveli i zakonshëm i baticës dhe zbatices është 40–60 cm, por kësaj here ka qenë më shumë se 1 metër. Kjo është një e panjohur dhe nuk dimë se çfarë do të ndodhë nesër.”
Edhe peshkatarë të tjerë që kanë qenë në det në ato orë tregojnë të habitur për këtë fenomen të rrallë, duke theksuar se nuk kanë parë kurrë më parë një rritje kaq të frikshme të nivelit të detit.
KOHA JONË SONDAZH

