Një amerikan mbyt gruan në Tiranë dhe me pas dy qentë e veten

Shtetasi amerikan Matthew Janes Wertz u gjend i vetëvarur në banesën e marrë me qira pasi kishte mbytur me litar bashkëshorten indoneziane Saragih Indah Lilis Sartika, si dhe kishte vrarë dy kafshët shtëpiake, dy qen të goditur me sende të forta.

Policia njoftoi se të dy shtetasit ishin pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri, Matthew Janes Wertz ishte i punësuar si mësues në një shkollë private në qytetin e Tiranës, ndërsa Saragih Indah Lilis Sartika ishte e papunë.

“Në banesë u gjet një letër e shkruar me shkrim dore në gjuhën angleze, në të cilën përshkruhen veprimet, që ka ndërmarë autori”, njoftoi policia.

Ngjarja u shënua nga autoritetet si “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe si “vrasje me dashje e kafshës së shoqërimit”.

Ekspertët e hetimit të krimeve të rënda, policia dhe prokurorët e kryeqytetit bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes, pyetën persona, që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, këqyrjen paraprake të kufomave në praninë e mjekut ligjor, këqyrjen paraprake të kafshëve në praninë e një mjeku veteriner.

Në banesë u sekuestruan si prova materiale litarët e gjetur në trupat e dy bashkëshortëve, dorëshkrime të mëparshme dhe një automjet në pronësi të mësuesit, si dhe katër kompjutera laptop, një telefon cellular, një shkop bejzbolli si dhe monedha shqiptare dhe të huaja.

Media vendase detajoi se mësuesi Wertz nuk kishte sot në shkollë dhe mungesa e tij shtyu kërkimet e autoriteteve të shkollës.

Zyrtarët e policisë theksuan se do të thellojnë hetimet për të mësuar shkaqet që shtynë mësuesin për këto vepra penale.

SHKARKO APP