Një ditë pas aksidentit, dyshime se avioni u rrëzua nga terroristët

Avioni gjerman u rrëzua në alpet franceze, 150 persona humbën jetën

Një ditë pas aksidentit tragjik në Alpet franceze, ku 150 vetë humbën jetën pas rrëzimit të një avioni të kompanisë Germanwings, kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet. Pista e një sulmi terrorist edhe pse fillimisht e përjashtuar, tani duket se është rikthyer në lojë.

Mundësia e një sulmi me bombë, ku avioni të ketë shpërthyer në ajër ka pak gjasa të jetë e vërtetë, pasi në këtë rast mbetjet do të ishin shpërndarë në një hapsirë më të madhe se sa janë zbuluar deri tani.

Por me gjetjen e kutisë së zezë, autoritetet që po hetojnë kanë ngritur dyshime se në bord mund të ketë pasur një ose më shumë persona që nuk duhet të ishin aty.

Sipas të dhënave, zbritja e avionit nga momenti që humbi kontaktet deri në momentin e përplasjes me shpatin e malit ka qenë konstante, që me shumë mundësi do të thotë se është përdorur piloti automatik.

Ajo që ngre dyshime, është mungesa e kontaktit me tokën për ato tetë minuta si mos lëshimi i kodit të emergjencës.

Një tjetër pistë e hetimeve është edhe defekti teknik i avionit. Vetëm 24 orë para se të niste udhëtimin nga Barcelona për në Dysledorf, mjeti kishte pasur probleme teknike dhe ishte deklaruar jo gati për fluturim. Ky zbulim vendos në pozitë të vështirë kompaninë Germanwings, që tani duhet të shpjegojë pse avioni u lejua të fluturonte.

Kompania, dega low cost e gjigantit gjerman Lufthansa, që muajt e fundit është përballur me grevën e pilotëve për kushte më të mira pune dhe pension të parakohshëm, është detyruar të anullojë disa fluturime për shkak se pilotët kanë refuzuar të punojnë për arsye sigurie.

Avioni i rrëzuar, model Airbus 320,është përfshirë në 12 aksidente në 15 vitet e fundit. Dy prej tyre, incidenti i djeshëm dhe ai i dhjetorit ku avioni i Air Asia u rrëzua në Indonezi, janë në hetim.

Ndërsa nga 10 incidentet e tjera, tetë janë vërtetuar se kanë ndodhur për gabime njerëzore.

SHKARKO APP