Një e katërta e viktimave nga aksidentet, në gjendje të dehur
Aksidentet rrugore në këto 9 muaj, i kanë marrë jetën 157 personave në të gjithë vendin. 44 prej tyre kanë humbur jetën për shkak se kanë qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur ose nën efektin e alkoolit. Pothuajse një në katër persona ka vdekur pikërisht për këtë shkak. Eksperti rrugor Gëzim Hoxha, thotë se policia ka gjetur vetëm pikën fundore me arrestime e atyre që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, duke mos i dhënë zgjidhje problemit.
”Sipas ligjit, kush drejton mjetin në gjendje të dehur arrestohet dhe çohet në komisariat, mbahet 72 orë, del përpara gjyqit dhe më pas lirohet. Kjo ka pasoja financiare tek familjarët, sepse po arrestohet një person. Dhe kur arrestohet një familjar, e gjithë familja është në ankth”. Ai jep idenë që në vendin tonë duhet ndjekur disa praktika botërore, si me rastet e lokaleve që tregtojnë alkool.
”Në çdo lokal që tregtohet alkool duhet vendosur një pajisje në dalje e cila tregon nivelin e konsumit të alkoolit. Për çdo person që do të drejtojë mjetin”. Krahas përdorimit të alkoolit, një fenomen tjetër i rrezikshëm është ai i përdorimi të celularit në timon, i cili në jo pak herë ka shkaktuar viktima. Për ekspertin Gëzim Hoxha, celulari është burim serioz i aksidenteve çka i shkakton drejtuesit humbjen e kontrollit të mjetit.