Një i majtë kryeson listën e republikanëve, Mediu mesazh Bashës nga Shkodra
Edhe pse ende nuk ka një marrëveshje zyrtare për paraqitjen e kandidatëve në zgjedhjet e 25 prillit, Fatmir Mediu ka prezantuar pas Tiranës edhe listën e Shkodër, të cilën do ta kryesojë Ditmir Harusha, një i majtë që i bashkohet opozitës. Mediu tha se interesi i tij është që opozita të jetë e bashkuar.
Pas Tiranës, republikanët nuk janë ndalur. Kryetari Fatmir Mediu ishte në Shkodër, ku gjatë një takimi prezantoi edhe kandidatët për deputetë të këtij qarku.
Megjithatë kryerepublikani tha se mbetet ende në pritje të një përgjigje nga ana e kreut demokrat Lulzim Basha.
“Po presim në përgjigje nga PD, interesi është bashkimi i opozitës. Edi Rama e bëri kodin dhe ndryshimet kushtetuese që opozita të jetë e përçarë. Duhet që këtë bashkim të mos e bëjmë si një raport pazaresh. Si Fatmir Mediu unë jam i disponuar të shkoj kudo në të gjithë qarqet e Shqipërisë ku shtoj një votë për opozitën, nuk kam asnjë lloj preference personale.”
Listën e PR-së në kryeqendrën e veriut do ta kryesojë Ditmir Harusha, i cili vjen nga e majta dhe i bashkohet opozitës.
Por Fatmir Mediu mbetet ende i hapur që mes kandidatëve të PD-së dhe PR-së të zgjedhin më të mirin.
“Ne jemi të gatshëm që në atë hapësirë ku kandidon Partia Republikane të gjykojmë së bashku kush është kandidati më i mirë, për të mos i prerë rrugën asnjë demokrati i cili ka potencialin për të konkurruar dhe për të fituar po ashtu për mos i prerë rrugën asnjë republikani kontributor për të fituar opozita në zgjedhjet e ardhshme”.