Një kujtesë për Ministrin Tahiri!

 

Nga Nikoll  LESI.

Dje,siç raporton ABC news, është kapur si rastësisht ministri i  Brendshëm Saimir Tahiri duke drekuar me deputetin shkodran Tom Doshi. Deri këtu po i referohemi medias televizive dhe e verteta mbetet se kanë qenë bashkë në hotel "Rogner". Fakti është publik se të dy; edhe Tahiri, edhe Doshi nuk duan ta shohin fytyrën e njeri tjetrit në tavolinë. Disa thonë ishin duke drekuar, të tjerë edhe duke u zenë , herë pas here. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, pasi ai është deputet i parlamentit të Shqipërisë. Dhe drekën mund ta hajë më kë të dojë, Saimir Tahiri. Edhe deputeti Doshi. Por ajo çka bie erë “mish dhie” siç thuhet në të tilla raste mbetet se përse u gjend kjo kohë për t’u takuar me deputetin që solli shumë potere këto ditë në mazhorancë, publikun e pështjelloi me keq se paralajmëroi për furtunë faktesh, Kryeministrit i prishi buzëqeshjen, ndërkohë që deputetin aty e kanë patur dhe nuk e kanë dëgjuar për problemet e Shkodrës, siç deklaroi ai publikisht pa iu dridhur syri.  Por ai tha një gjë më të rëndë për Edi Ramën, të cilën të gjithë e degjuam. Pse pas “bombës” që ai hodhi si në “ambasadën sovjetike” kujtohet Qeveria dhe në vend që të sqarohej së pari publiku se cili është qendrimi i Kryeministrit dhe i Qeverisë për akuzat që ai ngriti, shkon dhe  futet  ndër skuta restorantesh ministri i Brendshëm, sikurse nuk ka ndodhur asgjë! Natyrisht që problemet apo keqkuptimet zgjidhen me dialog,qoftë edhe me një gotë verë në tavolinë,porse ministri i Brendshëm, Tahiri për të cilin ruaj ( për vete) një konsideratë të një ministri që nuk përton të përballet me krimin, ndonëse e ka për detyrë. Ne kemi parë ndër vite shumë ministra të brendshëm që iknin në Dajt kur kërciste arma nga rradhët e krimit, ndaj po e them edhe këtë herë, që të mos e them më, se ministri Tahiri është një potencial i Ekzekutivit. Nuk i përmenda këto si fjalë realiste për të kaluar tek “kerbaçi”, porse ministri i brendshëm Tahiri nuk ka përse bën show në hotelin e bulervardit kryesor të Tiranës, në një restorant luksoz, për t’u takuar me deputetin Doshi, duke e ditur mjeshtërisht se nuk do t’i shpëtonte syrit të medias. Në mos e ka bërë vetë që edhe lajmi të përhapet me vrik se “u pajtuan”! Por nëse nisemi nga ajo çka deklaruar deputeti shkodran për parime dhe mbajtje premtimesh, gjithnjë referohem atij, nuk zgjidhej ky “duel” me takime të tilla, aq me tepër se dihet publikisht se Tom Doshi nuk e duron dot ministrin Tahiri. Pse nuk e duron? Si është puna? Këtë duhet të na e thonë, të dy. Edhe Kryeministri ynë. Duhet t'i tregojnë Parlamentit të vertetën, pasi aty është Tempulli i Demokracisë dhe Fjalës. Çfarë frike apo dileme kanë  nga Tom Doshi ,ministri i Brendshëm Tahiri dhe një ditë me parë “supërdeputeti “ Kokëdhima , të cilët vrapojnë pas deputetit shkodran, herë me lajka, herë me dreka e herë me kafe? Ai, Toma, ka folur zyrtarisht e mu tek dera e seancave parlamentare. Mu tek “hunda” e Qeverisë! Ndaj publiku u dritherua dhe u trondit nga gjithë sa dëgjoi, kësisoj duhen shpjegime nga Kryeministri , por dhe nga ju zoti Ministër! Nuk ishin akuza dosido; kishin “helm” brenda e njërëzit duan të mos ketë asnjë “plagë” apo “helm” në trupin e qeverisë. Duan shpjegime publike. Deputeti është i popullit, ju jeni qeveri e popullit, ndaj edhe populli kërkon t’i shpjegoheni!  Nuk bëhen shpjegimet nëpër restorante apo kafene, pasi mbeten mes dy vetave ose nën tavolinat ku përgjojnë sherbimet e huaja. Nëse ju jeni të garantuar se deputeti Doshi nuk ka thënë të vertetën, apo siç la të nënkuptohej  edhe Koço Kokëdhima se ishte "punë gjaknxehtësie",etj, gjë të cilin nuk e besoj se deputeti shkodran ka folur nga “gjaknxehtesia”, pasi ai është një temparament malesori dhe nuk ngutet e nuk tutet kollaj, ndonëse mund ta ketë edhe gabim; pra ju si ministër keni detyrimin që të mos e humbisni shikimin në sy të qytetarëve se përse trembeni nga ajo çfarë ai ka deklaruar se “po fola , ia trondis themelet kësaj mazhorance”! Çfarë do të trondisë ai? Keni dijeni? Keni dyshime? Apo mendoni se edhe mund të ketë?

Themelet e një mazhorance, pra të Qeverisë, tronditen vetëm nëse ka fakte korrupsioni të madh qeveritar, nëse është bërë ndonjë vrasje dhe është fshehur nga segmentet shtetrore, nëse ka implikime të agjenturave të huaja me agjentë në Qeveri. Nuk e di nëse ka ndonjë  shembull tjetër kur mund të “tronditet themelet”. Pra, pse me vrap  deputeti Kokëdhima, që duket se dështoi, e më pas nxituat ju, që për hir të së vertetës jo se e keni parë mirë në sy njeri tjetrin përmbi një vit apo zoti Ministër! Çfarë ka në atë “Kuti Pandore shkodrane” të Tom Doshit? Nëse shkohet drejt mbylljes së saj, pa u hapur, atëhere bindem se ka të drejtë Mero Baze ku shkruajti në një editorial se “ky nuk është kryeministri im, nëse nuk mban qëndrim të prerë politik…". Pra të pozicionohet qartë dhe prerë. Edhe nëse nuk ka qendrim publik e politik,por tentohet të mbyllet atëhere të gjithë do të themi "se kishte, por e mbyllen nën kupolë". E "kupolat" nuk janë shenjë e mirë!

  Zoti Ministër! Pse po mundoheni ta mbyllni para ditës së henë në mbledhjen e grupit parlamentar? Pse do të jetë me dyer të mbyllura mbledhja kur do të flitet për çështjen "Doshi"? Çfarë tjetër mund të thotë deputeti? Ka prapë? Edhe më tepër? Edhe më keq?

  Më mirë flisni para publikut se sa ta mbuloni për njëfarë kohe. Ose thoni shkurt e hapur se deputeti gënjeu ! Dhe nëse , edhe pas kësaj, hesht deputeti Doshi, atëhere keni të drejtë dhe vazhdoni udhën se nuk keni asnjë faj dhe frikë. Në të kundërt duhet të ndaloni pak se më tej ka hendek zoti Ministër!

SHKARKO APP