Një libër për avokatët e përndjekur në Diktaturë, Autoriteti i Dosjeve prezanton ”Mbrojtja nën pranga”
Historia e avokatëve që u përballën me survejim, burgosje dhe kufizim të ushtrimit të profesionit u rikthye në vëmendje në veprimtarinë përkujtimore “Mbrojtja nën pranga”, organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. “Dy kategoritë e shkeljeve të të drejtave të njeriut, si përndjekja dhe padrejtësia e vendimeve penale që u përdorën ndër vite. Mendojmë që shoqëria shqiptare vazhdon ende ta paguajë këtë dënim.
Janë plagët e familjeve ende të patrajtuara dhe dëmshpërblimi civil ende i papërmbyllur, por edhe, mbi të gjitha, do të thoja, një kosto shumë e madhe për shoqërinë tonë, që buron nga një periudhë shumë e gjatë me një sistem jodemokratik të drejtësisë, që nuk kishte asnjë lidhje me të drejtat e njeriut”, tha Gentiana Sula, kryetare e AIDSSH.
Për kryetarin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Ulsi Manja, një demokraci e vërtetë matet me aftësinë për të garantuar të drejtat e individit, ndërsa ruajtja e kujtesës dhe dokumentimi i së vërtetës mbeten themel për institucione të pavarura.
“Një sistem demokratik nuk matet vetëm me forcën për të ndëshkuar. Ai matet me aftësinë për të garantuar të drejtat e individit, kur ai gjendet në pozitën më të vështirë përballë makinerisë shtetërore. Prandaj, puna e Autoritetit të Dosjeve është jetike. Hapja e arkivave dhe dokumentimi i së vërtetës janë gurët e themelit të një demokracie të shëndetshme. Si kryetar i Komisionit të Ligjeve, e deklaroj me bindje se Kuvendi i Shqipërisë ka detyrimin kushtetues dhe moral të garantojë që institucionet e drejtësisë të mbeten të pavarura”, tha Manja. Aktiviteti u përmbyll me një ekspozitë përkujtimore me dokumente arkivore, fotografi historike dhe profile të avokatëve mbrojtës të periudhës 1944–1966.
KOHA JONË SONDAZH



