Një minutë për një pyetësor. Thuaj fjalën tënde!

Kur jemi në tryezë duke darkuar, në kafe me miq apo në zyrë me kolegë, diskutojmë gjithmonë të shqetësuar për problemet që i përkasin botës, e sigurisht dhe ne si pjesë e saj. Themi shpesh mes nesh se bota ka ndryshuar por prapë gjendet përballë sfidash të reja dhe të vështira. Biem të gjithë dakord me faktin se Covid-19 ka ndikuar kaq shumë në të përditshmen tonë. Ankohemi gati në një zë – medet, si do jetë e ardhmja jonë pas kësaj!? Pamë se gjatë pandemisë, pavarësisht gjithë vështirësive e rrezikut për kolaps, sistemi shëndetësor publik luajti një rol të jashtëzakonshëm për jetën e njerëzve. Po ashtu edhe sistemi arsimor, që u vu sa hap e mbyll sytë përballë sfidës së mësimit online, në distancë. Pohojmë në sinqeritet se izolimin e ndjemë më fort kur u mbyllën kufijtë e kur nuk do të udhëtonim dot në asnjë vend të Europës e botës.

U trembëm se tregjet do të bllokoheshin, pastaj u kënaqëm dhe u çliruam aq shumë prej faktit se rrugët e bashkëpunimit ekonomik mes shtetesh e kombesh, u hapën më shumë se kurrë më parë, sidomos për vendet që vuajnë e kanë më shumë nevojë për ndihmë. Vazhdojmë të urojmë njëri- tjetrin që nesër të jetë për të gjithë më mirë. Flasim, dëgjojmë, komentojmë, por duhet ta bëjmë këtë edhe përtej rretheve tona të ngushta të familjeve, miqve e kolegëve. E kur na jepet kjo mundësi, duhet të ndalemi për një çast e të përcjellim mendimet tona, siç një pjesë e mirë e qytetarëve të botës po e bëjnë tashmë të tërhequr nga fushata #UN75 e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo nismë, që ka mbërritur edhe në Shqipëri synon pikërisht mbledhjen e mendimeve të miliona njerëzve, anembanë botës, në lidhje me prioritetet dhe zgjidhjet për të ardhmen. Në qendër të fushatës #UN75 është një pyetësor një-minutësh, ku njerëzit mund të shprehen për arsimin, shëndetësinë, ekonominë e për gjithçka tjetër që ata e shohin si prioritet për rikuperimin nga pandemia, si dhe të imagjinojnë të ardhmen që duan.

Plotësimi i këtij pyetësori është i rëndësishëm. Edhe pse temat mund të tingëllojnë të mëdha, ato prekin jetën dhe diktojnë të ardhmen e secilit prej nesh. Ndaj mendimet vlejnë, sepse bazuar mbi to, OKB-ja do të hartojë strategjitë për vitet e ardhshme. Prandaj secili prej nesh duhet ta shikojë plotësimin e pyetësorit si një investim krejtësisht personal, si një shërbim ndaj vetes e së ardhmes së tij. Rezultatet do t’u bëhen me dije liderëve botërorë në 21 shtator të 2020-ës, në ceremoninë zyrtare përkujtimore të këtij përvjetori dhe më pas, mbështetur mbi to, do të përpilohen strategjitë e së ardhmes.

Secili nga ne duhet të thotë fjalën e tij sot, që të ndihet më i përfaqësuar dhe më i mbrojtur nesër!

 

SHKARKO APP