Një tjetër iranian “non grata”! Vëzhgonte kampin e muxhahedinëve

Një tjetër Iranian i dyshuar për veprimtari agjenturore kundër muxhahedinëve në Shqipëri është shpallur i padëshiruar nga autoritetet tona dhe pritet që të dëbohet nga vendi në orët në vijim. Personit në fjalë do ti ndalohet hyrja në Shqipëri për 15 vitet e ardhshme.

Ai është Dabiel Kassraee me kombësi iraniane dhe me shtetësi italiane. 29-vjeçari dyshohet se është agjent me veprimtari spiunazhi i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane. Sipas raportit të Agjentëve të anti-terrorit ky shtetas është klasifikuar si një person i rrezikshëm dhe që cënon sigurinë publike.

Urdhri për dëbimin e tij është firmosur nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj me vendim nr.172 dhe pritet që të dërgohet në orët në vijim drejt Italisë. 29-vjeçari është shfaqur shpesh herë në kampin e Muxhahedinëve në Manzë të Durrësit. Për llogari të shtetit të Iranit, Kassraee ka tentuar të rekrutojë ish-anëtarë të MEK apo anëtarë aktual të kësaj organizate.

Aktualisht 29-vjeçari ndodhet në një kamp në Vorë dhe pritet që të dëbohet në orët në vijim. Kujtojmë se nga Shqipëria janë dëbuar dhe janë shpallur persona ‘Non Grata’ rreth 80 persona të huaj për veprimtari të dyshimta, kryesisht shtetas iranianë. Edhe vitet e fundit dy diplomatë iranianë u dëbuan nga Shqipëria, ndërsa në vitin 2018 u dëbua edhe krye-diplomati i Ambasadës Iraniane në vendin tonë. Ndërkohë po hetohen edhe persona të tjerë që mund të ketë bashkëpunuar i riu i infiltruar nga Ministria e Inteligjencës Iraniane. /TCH/

SHKARKO APP