Një tjetër ish-kryebashkiak socialist përballë GJKKO-së, SPAK depoziton dosjen
SPAK ka dërguar në Gjykatën e Posaçme dosjen penale ndaj ish-kryebashkiakut të Divjakës, Fedi Kokoneshi, duke kërkuar që ai të përballet me proces gjyqësor për akuzat që lidhen me shkelje të ligjit gjatë kohës që ka ushtruar funksionin publik. Dosja në ngarkim të ish-kryebashkiakut socialist tashmë është depozituar dhe pritet shqyrtimi i saj nga organet gjyqësore. Ish-zyrtari rezulton të jetë marrë i pandehur nga SPAK për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Bashkë me Kokoneshit, të pandehur për të njëjtën vepër penale janë marrë Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo.
Sipas SPAK, hetimi për ish-kryebashkiakun ka nisur pas një referimi nga Policia e Fierit në vitin 2022, lidhur me disa procedura të kryera nga zyrtarët e Bashkisë Divjanë për dhënien me qira të disa trojeve bujqësore. Nga hetimi ka rezultuar se Bashkia Divjakë, e drejtuar nga Fredi Kokoneshi, ka lidhur dy kontrata për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 67 hektarë, për ndërtim të impianeteve diellorë.
Kontratat janë nënshkruar në qershor 2021 me dy subjekte tregtare private me afat shfrytëzimi 10 vjet. Por ka rezultuar se pasuritë e dhëna, sipas kontratave , më parë ishin regjistruar pranë ASHK-së në pronësi të shtetit si tokë bujqësore. 3 muaj para lidhjes së kontratave Bashkia Divjakë i ishte drejtuar Ministrisë së Bujqësisë, për të ndryshuar kategorinë e truallit nga tokë bujqësore në tokë “pa fryt”. Dosja me 4 të pandehur ndodhet tashmë në duar e Gjykatës së Posaçme, ku do t’i nënshtrohet shqyrtimit paraprak nga gjyqtari Erjon Çela.
KOHA JONË SONDAZH

