Një tjetër ndërtim skandaloz në bllok,në mes të Tiranes

 

Një ndërtim, që është duke u realizuar me lejen e Bashkisë së Tiranës po ngjall një debat të madh publik pas një shkrimi denoncues të revistës Java. Ai ka filluar pak ditë më parë në rrugën “Brigada e VIII”, mu në të vetmen hapësirë, ku nuk kishte ndërtesë. Në fakt, ishte një vilë, që strukturat e Ministrisë së Kulturës e kishin në të ashtuquajturën mbrojtje paraprake me një urdhër të Janarit 2015, sigluar nga titullarja e tyre Arta Dollani. Por skandali i këtij ndërtimi që po hedh shtat me shpejtësi nuk qëndron vetëm këtu pra në faktin se vila mbi të cilën po ndërtohet mund të klasifikohej monument i trashigimisë kulturore. Ai po përbën problem se po ngrihet fare pranë dy pallateve të tjera, jashte çdo norme dhe së dyti se për këtë leje të Bashës, po e miratojnë në heshtje edhe institucionet e shumicës së majtë.
Pallati i cili po ndërtohet nga shoqëria “LID” sh.p.k, i ka letrat në rregull. Leja e Bashkisë së Tiranës është dhënë në fakt qysh në janar të 2014-s, sipas vëzhgimeve të medias, por leja zhvillimore për ndërtim është dhënë në 11 qershor 2014. Punimet kanë nisur ditën e fundit dhe pritet të përfundojnë në qershor të 2016-s. Ajo, që e tregon flagrant rastin, është arroganca e ndërtimit, ku distanca mes pallatit që do të ndërtohet dhe ndërtesave të tjera fqinje do të jetë nga 1 deri më 2 metër, mu një shkelje e Planit të Përgjithshëm Vendor që e ka miratuar vetë Bashkia e Tiranës në 2012-n. Gjithashtu pallati po ndërtohet vetëm 2 metra larg rrugës “Brigada e VIII”, që është një tjetër kriter i cili është shkelur me planin e ri urbanistik të Tiranës.

SHKARKO APP