Njoftimi nga Kryeministria:Norman Atlantic, informacion mbi situatën dhe masat e gatishmërisë

Sipas të dhënave më të fundit, anija greke "Norman Atlantic" gjendet rreth 12 milje në veri perëndim të ishullit të Sazanit, në kufirin e ujërave territoriale shqiptare.

Deri më tani kanë mundur të shpëtojnë rreth 146 pasagjerë, por fatkeqësisht numri i personave që gjenden ende në bord të anijes është mbi 300.

Kushtet e motit janë ekstremisht të vështira, çka e bën të pamundur tërheqjen e anijes me rimorkiator.

Aktualisht, forcat detare dhe ajrore shqiptare janë në gatishmëri maksimale. Anija luftarake Butrinti ndodhet nga mëngjesi pranë anijes në avari dhe ekuipazhi shqiptar është pjesë aktive e operacionit të shpëtimit. Anijet luftarake Iliria dhe Lisus janë në gatishmëri në portin e Durrësit dhe mund të bëhen pjesë e operacionit në çdo moment që do ta kërkoj flota detare italiane, që po koordinon operacionin.

Ekspertët shqiptarë, italianë dhe grekë janë të mendimit se drejtimi i erës dhe valëzimit mund të sjellin nevojën që anija greke të ankorohet në një nga portet shqiptare. Pikërisht prandaj, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, Ministria e Transporteve dhe Ministria e Jashtme kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar situatën.

Ministria e Punëve të Brendshme ka kaluar në gatishmëri të përforcuar shërbimet e Policisë Kufitare në Portet e Vlorës dhe Durrësit duke i mbështetur ato edhe me efektiva shtesë nga Policia e Rendit. Është udhëzuar personeli i Pikave të Kalimit Kufitar për procedurën emergjente që duhet të ndiqet për të lehtësuar zbritjen e pasagjerëve nga trageti dhe dhënien e ndihmës së parë mjekësore.

Ministria e Transportit ka vënë në gatishmëri kapiteneritë e porteve detare të Vlorës dhe Durrësit, me të gjitha kapacitetet e tyre për të orientuar dhe lehtësuar sa më shumë ankorimin e tragetit.

Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë janë vënë në gatishmëri të plotë spitali i Durrësit, urgjenca e Tiranës dhe spitali i Traumës në Tiranë. Në orën 18.30 në spitalin e Durrësit do të mblidhet Shtabi i Emergjencës i kryesuar nga Ministri Beqaj për të koordinuar të gjithë ndihmën mjekësore që mund të nevojitet në rast të ankorimit të anijes në portin e Durrësit.

Kontaktet mes qeverisë shqiptare dhe qeverive italiane dhe greke janë të vazhdueshme. Ministri Tahiri ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij italian Alfano, ndërkohë që Kryeministri Rama ka folur me Kryeministrin Samaras, me të cilin kanë koordinuar vazhdimin e operacionit.

SHKARKO APP