Njoftimi zyrtar i Policisë: Ja pse u arrestuan deputetët

Policia e Tiranës ka bërë publike akuzat që janë ngritur ndaj deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Me anë të një deklarate për median, Drejtoria e Policisë së Tiranës tha se ka ekzekutuar ditën e sotme, urdhër-ndalimet e lëshuara nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme.

Deklarata e Policisë së Tiranës:

“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka ekzekutuar urdhër-ndalimet për Tom Gjek Doshi, 49 vjeç, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë, si edhe Mark Preng Frroku, 43 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

Urdhër-ndalimet janë lëshuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës dhe mbajnë datën 26 mars 2015, për veprat penale “kallëzim i rremë”, “deklarata e rreme përpara Prokurorit” dhe “kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, parashikuar përkatësisht nga nenet 305, 305/a dhe 312/a, të Kodit Penal.

Shtetasi Tom Doshi u ndalua në banesë, ndërsa shtetasi Mark Frroku u ndalua në ambjentet e firmës së tij, në Tiranë.

Gjithashtu me autorizim të Kuvendit të Shqipërisë, me vendimet nr. 39 dhe 40, datë 26.03.2015, mbi bazën e Urdhrit të Prokurorisë, është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Doshi dhe Frroku”.

SHKARKO APP