Nju Jork,shqiptari 24 vjeça vdes duke shpëtuar të motrën 10 vjeçe

 

 

Festa e Halloweenit në Nju Jork është kthyer në një skenë horrori në Bronx të Nju Jorkut.

Tre persona humbën jetën, mes tyre dhe  24 vjeçar shqiptar Kristian Leka me origjinë nga Shkodra por që prej vitesh jetonin në Pelham Park në Bronx Nju Jork.

Të vdekur nga aksidenti mbetën dhe një vajzë 10 vjeçare dhe një 65-vjeçar.Mediat amerikane raportojnë se gjithçka ndodhi të shtunën pasdite në rrugën Morris Park Ave të qytetit të Bronxit.

Një automjet tip Dodge që drejtohej nga 52-vjeçari, Howard Unger, ka kaluar me shpejtësi duke  u përplasur në fillim me një makinë të parkuar Toyota ngjyrë të zezë dhe më pas është ngjitur në trotuar duke goditur një grup fëmijësh me prindërit e tyre të cilët kishin dalë në shetitjen tradicionale, derisa është ndaluar në një gardh të një shtëpie pranë.

I riu shqiptar mësohet se humbi jetën në tentativë për të shpëtuar të motrën, Fiona, vetëm 10 vjeç, e cila mbeti e plagosur në aksident.

“Kristiani u përpoq të shtyjë motrën e tij, makina doli shumë shpejt dhe ai e shtyu atë nga rruga. Ai e shpëtoi të motrën, por makina e goditi atë dhe ai hyri në mur. Koka e tij u shtyp. Unë nuk e di se çfarë e shtyu shoferin për ta bërë këtë” mësohet të ketë thënë xhaxhai i Kristianit, Lulsh Kanaj, 64 vjeç.E mitura mësohet se ka thyer krahun, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. E plagosur në aksident mbeti dhe 21 vjeçarja shqiptare Greta Leka dhe një vogëlushe 3 vjeçare.

Nga aksidenti, i vdekur në vend mbeti 65-vjeçari, Louis Perez, një veteran ushtarak në pension, ndërsa mbesa e tij 10 vjeçare humbi jetën në spital.

Nga aksidenti i tmerrshëm i lënduar ka mbetur dhe vetë shoferi i mjetit.Policia po heton mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, pasi ende nuk është e qartë nëse 52-vjeçari ka pësuar ndonjë goditje në zemër, apo vuan nga probleme mendore.Aksidenti ndodhi disa blloqe larg banesës së familjes Leka.

SHKARKO APP