Novosela nën “pushtetin” e ujit, mungojnë ndihmat ushqimore për banorët

E gjithë komuna e Novoselës vijon të jetë nën ujë për të dytën ditë radhazi, ndërkohë që reshjet parashikohen të zgjasin gjatë gjithë javës.

Shtabi i emergjencave dhe Delta forcë që ndodhen në terren, kanë ndihmuar disa banorë që kanë bërë thirrje për ndihmë, duke i evakuuar përmes ajrit.

Banorët e evakuuar dërgohen në fshatin kodrinor të Cërkovinës, i cili nuk preket nga përmbytjet e Vjosës për shkak të pozicionit gjeografik.

Sakaq shumë prej banorëve të paevakuuar ndodhen në katet e treta të banesave, por dita e dytë e përmbytjeve ka nxjerrë në pah një tjetër problem, mungesën e ushqimeve. Ndërkohë edhe energjia elektrike ka luhatje e shkëputje të shpeshta për shkak të prezencës së madhe të ujit. Rreth 1500 banesa ndodhen nën ujë

Në komunën e Novoselës niveli maksimal i ujit pas daljes së Vjosës nga shtrati ka arritur në 2.5 metra, ndërsa ai minimal rreth 30 centimetra.

Përmbytjet e kanë shndërruar Novoselën në një liqen të madh që shkon deri në det.

Aktualisht Aksi i vjetër Levan-Vlore është i mbyllur, si pasoje e daljes së ujit në rrugë. I bllokuar është edhe një pjesë e aksit Vlorë – Selenicë, te Bishti i Malit, si pasojë e daljes së Vjosës.

SHKARKO APP