Nuk ka plan për zgjerimin e rrugës që çon në Rina

(Marrë nga revista Monitor)

Episodet e përsëritura të trafikut në rrugën e Rinasit, duket se kanë detyruar qeverinë të bëhet “kreative”, me zgjidhje të çuditshme, duke mos marrë parasysh rritjen e distancave, apo shpenzimeve për karburant të qytetarëve.

Në një njoftim të Autoritetit Rrugor Shqiptar këtë të enjte bëhet e ditur se rruga që të çon në Aeroportin e Rinasit do të bëhet me një sens lëvizje, duke filluar nga 1 maji, me qëllim shmangien e vonesave.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se ky devijim do të jetë për një afat të papërcaktuar. Në rrugën që të çon drejt Aeroportit të Rinasit, pas periudhës së Covid-19, është rritur edhe fluksi i fluturimeve, si pasojë edhe qarkullimi i mjeteve, duke sjellë probleme për udhëtarët për të kapur linjat e fluturimeve në orarin e caktuar.

Ndodhur në këtë situatë, duke filluar nga data 01.05.2022, me qëllim shmangien e vonesave për lëvizjen drejt aeroportit, si dhe rritjen e sigurisë rrugore, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka vendosur, që: Për një afat të pacaktuar, lëvizja drejt aeroportit të realizohet me një sens lëvizje me drejtimin nga Qafë Kashari-Rreth-rrotullimi i “Nënë Terezës”-Ahmetaq.

Mjetet që vijnë nga veriu për drejtimin në Rinas do të ndjekin lëvizjen Fushë Krujë-Vorë-Qafë Kashar-Aeroport. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndryshim të qarkullimit!”, shkruan ARRSH.

S’ka plan për zgjerimin e rrugës

Vetëm pak kohë më parë ARRSH u kujdes që të riparonte në një hark disa javor shtresat afsaltike të rrugës dhe të ndryshonte sinjalistikën ndërkohë që nuk ka në horizont asnjë një plan zgjerimi për një nga rrugët me volum në rritje të vazhdueshme të trafikut.

Rritja e numrit të charterave të pushuesve që vijnë në Shqipëri përgjatë gjithë vitit por sidomos në verë si dhe shtimi i linjave të fluturimit në destinacione të shumta ka bërë që vetëm nga Aeroporti të gjenerohet një volum jo i vogël trafiku për të mos folur që institucione publike, biznese e zyra janë zhvendosur në këtë zonë.

Zhvillimi i përgjithshëm i këtij rajoni duket se ende nuk është i mjaftueshëm në syrin e qeverisë për të marrë një studim paraprak mbi mundësinë e zgjerimit të rrugës duke gjetur strehë tek zgjidhjet e çuditshme që bëhen në momentin e fundit pa menduar për pasojat që mund të kenë tek qytetarët.

Ky është një nga rastet që ilustron sesi investimet e bëra në infrastrukturë shpesh nuk janë të menduara në afatgjatë duke sjellë më pas pasoja. Zhvillimi i gabuar i investimeve është bërë problematik në arterie të ndryshme rrugore në vend.

Trafiku ajror është trefishuar në tremujorin e parë 2022

Trafiku ajror është rritur ndjeshëm pas pandemisë, i nxitur dhe nga hyrja e operatorëve me kosto të ulët dhe rënia e çmimeve të biletave. Eurostat raportoi pak javë më parë se Shqipëria ishte e vetmja në Europë që në janar dhe shkurt të këtij viti e kishte kaluar nivelin e para pandemisë.

Sipas INSTAT në 2021 fluturuan nga dhe drejt Rinasit gati 3 mln pasagjerë, nga 3.3 milionë në vitin 2019, që ka qenë më i miri historik deri tani. Ndërsa vetëm në janar mars 2022 numri I pasagjereve arriti në 760 mijë, në trefishim nga e njëjta periudhë e 2021, sipas INSTAT.

SHKARKO APP