Nuk ndryshon norma bazë e interesit, Guvernatori Sejko: S’ka kredi pa analizë financiare
Banka e Shqipërisë e la të pandryshuar normën bazë të interesit në 3%, pasi sipas guvernatorit Gent Sejko i përgjigjet zhvillimeve aktuale të ekonomisë dhe normës së inflacionit që është në trend rënës. Guvernatori Sejko tha se gjatë tremujorit të dytë të vitit është vënë re rritje e pagave dhe e punësimit, por mungesat për staf janë ende shumë prezente.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit ka qenë relativisht i qëndrueshëm gjatë muajve korrik-gusht, duke qëndruar pranë një niveli mesatar prej 2%. Rënia e inflacionit gjatë tre tremujorëve të parë të vitit është diktuar në masën më të madhe nga kontributi në rënie i inflacionit të artikujve ushqimorë dhe, së fundmi, i çmimeve të produkteve energjetike. Nga ana tjetër, ndonëse me një tendencë të lehtë rënëse, inflacioni i artikujve të tjerë të shportës shfaqet më i qëndrueshëm. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 4.1% gjatë tremujorit të dytë të vitit, duke qëndruar në kahun e sipërm të pritjeve tona”, tha Sejko në konferencë për mediat.
Guvernatori theksoi se me qëllim mbrojtjen e qytetarëve këshilli Mbikqyrës ka miratuar edhe rregulloren e hartuar për institucionet jo banka, e cila kufizon numrin e kredive konsumatorë që mund të marrë një klient në të njëjtën kohë. ”Kufizojmë moshën e kredimarrëve, elementë sa i takon numrin e kredive, nuk mund të merren 2 kredi konsumatorë njëherësh, do bëhet analizë financiare e kredimarrësve. Në funksion nga ruajtja e kredi marrësve nga ngarkesave me borxh. Por mbrojmë edhe vetë institucionet ndaj kredive me probleme. Këto institucione nëse do të përballeshin me një kredi marrës problematik, do të kishin normë të lartë kredie me probleme dhe do të përballeshin me humbje”, tha Sejko.