Nuk paguhen prej muajsh, ndreqet ligji që i la pa rrogë këshilltarët bashkiakë dhe kryepleqtë
Prej muajsh, këshilltarët bashkiakë dhe kryetarët e fshatrave nuk paguhen. Kjo për shkak të një problemi ligjor. Për të zgjidhur këtë ngërç është depozituar në Kuvend një projektligj. “Pas një ndryshimi që kemi bërë në ligjin për pushtetin vendor, kemi bërë një gabim të trashë atje. Nuk e di. Ashtu ka ardhur nga qeveria, ashtu e kemi miratuar ne. Thuhet që këshilltarët marrin 10% të kryetarit të këshillit Kryetari Këshillit Bashkiak nuk ka rrogë”, tha Braçe.
Për të zgjidhur këtë ngërç që ka lënë pa rrogë prej muajsh rreth 1 mijë e 600 anëtarë të këshillave bashkiakë në gjithë vendin, deputetja e Partisë Socialiste, Antoneta Dhima. Ajo ka propozuar disa ndryshime në ligjin, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.
“Nëpërmjet kësaj nisme, duhet të ndryshohet shkronja “c” e nenit 9, duke u saktësuar shpërblimi mujor i këshilltarëve dhe të kryetarëve të fshatrave, në masën deri në 10 për qind të pagës mujore të kryetarit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore”.
Paga e kryetarëve të bashkive në vend përllogaritet në bazë të numrit të banorëve. Mesatarisht ajo është 130 mijë lekë në muaj. Pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore të propozuara, anëtarët e këshillave bashkiakë do të marrin rreth 13 mijë lekë çdo muaj.
Kjo do të thotë që nga buxheti i shtetit, për të paguar rreth 1 mijë e 600 këshilltarët do të duhet të dalin 20.8 milionë lekë në muaj, veç shpërblimeve apo honorarëve të tjera që mund të përfitojnë nga pjesëmarrja në mbledhje apo aktivitete të tjera. /A2cnn/