Nusja merr hak ndaj vjehrrit, i vë flakën kasolles
Një sherr në familje, ka bërë që nusja ti lërë zjarrin për hakmarrje kasolles së vjehrrit të saj. Komisariati i Policisë Lushnjë konfirmoi ngjarjen që përfundoi pa të lënduar, teksa nisi sot (12 gusht) edhe procedimin penal në gjendje të lirë për të dyshuarën. E dyshuara është shtetasja B.R, 29-vjeçe. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Krutje e Poshtme.
Policia vendore sqaroi se pas veprimeve paraprake dhe denoncimit të marrë, “referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë”. Gjithashtu nga ana tjetër, shtohet se “ngjarja dyshohet se ka motive të dobëta” dhe se nga veprimi prej piromaneje, është djegur kasollja në pronësi të vjehrrit të saj. Demët janë vetëm në materiale.
Dhuna dhe vrasja e grave mbetet një fenomen shqetësues i shoqërisë shqiptare, si dhe një sfidë për shtetin. Referuar të dhënave zyrtare, në 6 muajt e parë të këtij viti, kërkesa për urdhërmbrojtje nga gratë ka qenë 40.8 % më i lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po ashtu, gjatë muajve janar-gusht të këtij viti, janë shënuar 1091 raste të dhunës në familje ose 8.6% më shumë se e njëjta periudhë e marrë në shqyrtim një vit më parë.