Nxënësit e dhunuar dalin në protestë: Të kthehet mësuesja që na rrihte

 

Ndodh edhe kështu!

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Gjon Ndoci” në Bushat kanë braktisur mësimin, duke protestuar për rikthimin e mësueses Nevila Duraj në punë, e cila u pezullua pas publikimit të një video, ku ajo rrihte brutalisht njërin prej tyre.

Duraj u pezullua nga Ministria e Arsimit pasi rrahu një nxënës,i cili kishte shkuar në orën e mësimit pa detyra dhe ka bërë zhurmë në klasë duke prishur qetësinë.

E kam parë videon dhe ajo video është fryrë më shumë seç duhet. Dhunën nuk duhet që ta lejojmë, por mësuesja Duraj nuk është një person i dhunshëm dhe këtë nuk e ka bërë asnjëherë me ne. Është një rast i vetëm, për të cilin nuk e meriton të ndëshkohet sepse mësuesja jonë na ka mësuar me shumë dashuri dhe është përpjekur që ne të bëhemi sa më të mirë. Ju lutem ta rikthejnë mësuese Nevilën, sepse ne nuk do të bëjmë asnjë ditë mësim nëse nuk vjen ajo”, shprehet një nxënës për Panorama.

Unë vetë nuk e kam parë videon, por edhe pse mësuesja më ka goditur, e di që fajtor kam qenë unë sepse kam shkuar në shkollë pa detyra dhe kam bërë shumë zhurmë atë ditë duke prishur orën e mësimit. Në të gjitha herët e tjera mësuesja Nevila është sjellë mirë me ne dhe është munduar që të na edukojë ashtu siç duhet. Unë e kam falur e po ashtu edhe prindërit e mi, ndaj kërkoj që mësuesja ime të rikthehet në shkollë dhe të vazhdojë të na japë mësim sepse do të jetë shumë e vështirë që ta zëvendësojë dikush tjetër. Ne nuk do futemi në mësim derisa të rikthehet mësuesja”, ka deklaruar vetë nxënësi që u godit.

Edhe vetë prindërit kërkuan pak ditë më parë, që mësuesja të kthehej, pasi ata u shprehën se i kishin dhënë vetë leje asaj, që t’i godiste fëmijët e tyre.

SHKARKO APP