”O Muçi, t’u bëftë Bardha kurban”, rrëfen tregtarja që u bë virale me rigonin pa faturë
Një grua e thjeshtë po mban gjallë traditën familjare të tregtisë, prej më shumë se 35 vitesh në tregun e perimeve të Sarandës. Bardha Nesturaj e nisi këtë rrugëtim në vitin 1990 bashkë me prindërit dhe më pas me vëllezërit, dhe sot e vazhdon vetëm tregtinë, por me të njëjtin pasion dhe sinqeritet që e nisi atë kur ishte ende e mitur. E njohur prej shumë kohësh në qytet, Bardha u bë virale ditët e fundit për një moment të veçantë: një inspektor tatimor i kërkoi faturë për rigonin që ajo mbledh vetë në mal dhe shet mes produkteve të tjera në treg.
”Tregu i fruta-perimeve nuk është si bizneset e mëdha, nuk mund t’i kërkosh dikujt që mbjell dhe korr vetë një faturë apo kupon tatimor për rigonin e mbledhur në mal apo farën që mbillet në kopsht”. Bardha ka përfunduar universitetin, por tregtia ka qenë zgjidhja më e mirë dhe e drejtë për jetën e saj.
Reagimi i saj i sinqertë dhe i guximshëm ka hapur një diskutim të rëndësishëm mbi sfidat që përballin tregtarët ambulantë në Shqipëri, duke nxjerrë në pah nevojën për rishikim dhe përshtatje të ligjit në mënyrë që të jetë real dhe praktik. ”Kujt t’ia marr faturën për çajin që mbledh në mal, gurëve të malit?”,-thotë ajo me një buzëqeshje që fsheh lodhjen, por jo krenarinë.
Puna e saj në treg është e vetmja burim të ardhurash për familjen, dhe gjithçka e mbulon me të: qiranë e shtëpisë, librat e shkollës, detyrimet për vëllain. Thotë se është në rregull me taksat dhe i respekton rregullat e shtetit, por nuk e di ende si klasifikohet: ”Tregtar ambulant, biznes i vogël apo i mesëm? As vetë nuk e di”.
KOHA JONË SONDAZH

