OBSH: Gjendja e Covid-19 në Ballkan është shqetësuese, kurse Shqipëria…
Organizata Botërore e Shëndetësisë e sheh shqetësuese situatën e zhvillimit të Covid-19 në Ballkanin Perëndimor. Zyrtarja e lartë e OBSH-së, Catherine Smallwood e quajti këtë zonë “një pikë të nxehtë nën-rajonale” duke marrë parasysh shtimin e rasteve të reja të infektimit që nga fillimi i qershorit.
”Situata në Ballkanin Perëndimor ka qenë ndër shqetësimet tona që prej fillimit të verës. Ajo që na inkurajon është se kemi punuar shumë ngushtë me secilin nga shtetet anëtare që ka pasur një shtim të rasteve dhe ne kemi filluar të shohim një nivelizim dhe shenja të një rënieje të parakohshme në disa nga ato vende. Do të na mbetet akoma të punojmë më shumë për të ruajtur këtë ulje të numrit. Duhet pasur parasysh se në mundësinë dhe kushtet e duhura, virusi mund të përhapet shumë”.
Kroacia ka parë një rritje të numrit të rasteve gjatë ditëve të fundit, me 219 infeksione me koronavirus të regjistruara këtë të mërkurë, ndërsa numri i përgjithshëm i infektimeve ka shkuar në 7,074. Edhe Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit po përballen me një rritje të numrit të të infektuarve me Covid-19, gjë që ka detyruar disa shtete të bëjnë të detyrueshme kryerjen e testit për të kaluar në kufi.