”Open Balkan” është një iniciativë amerikane!

Nga: Alban Daci

“Ballkani i Hapur” është pasojë e rezultatit që BE ka dështuar për të bërë të mundur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor! Në fakt, BE ka dështuar me vetveten, sepse mbetet sui generis në të drejtën ndërkombëtar, por nuk po transformohet në një entitet të fortë të ngjashëm shtetëror e kjo lidhet me faktin se sovranitetin, jo vetëm nuk e kanë lëshuar vendet anëtare, por tashmë si pasojë e populizmave në rritje, po qarkullojnë ide për ta rikthyer si nevojë politike sovranitetin e shteteve në statusin e fillimeve të origjinës së procesit të bashkimit/integrimit europian.

BE, ka bërë shumë hapa përpara dhe mund të themi në objektivin e saj kryesor për cfarë u krijua, ka merita të mëdha e kjo lidhet se mes popujve të Europës është garantuar paqja dhe për fat të mirë nuk kemi pasur më konflikte konkrete që nga mbarimi i Luftës II, por në disa drejtime të tjera të rëndësishme ka bërë pak progrese e kjo lidhet pikërisht me sovranitetin e politikës të jashtme e po ashtu me politikën e përbashkët të mbrojtjes. Në këto dy sektor të rëndësishëm, vendet anëtare kanë preferuar që të mos e lëshojnë fare sovranitetin e tyre.

Po ashtu, në vetvete edhe mënyrë e anëtarësimit të vendeve të reja, të kodifikuar në traktetet e BE, ka rezultuar e dështuar, sepse organet e BE siç janë Komisioni dhe Parlamenti, kanë një rol thjeshtë monitorues dhe asistues, por për çdo anëtarësim duhet të shprehen vendet anëtarë sipas rendeve kushtetuese që ato kanë! Kështu, shumë herë janë bërë pengesë qëndrimet e vendeve të ndryshme të BE për anëtarësimin e Shqipërisë, Maqedonise e këtu nuk duhet të harrojmë qëndrimet e Francës e Holandës!

Në këto kushte, BE ka dështuar me veten për të qenë një entitet shumë i ngjashëm shtetëror e po ashtu edhe për integrimin dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria dhe Maqedonia. Proceset e integrimit të këtyre vendeve janë tashmë jashtë çdo lloj logjike ndërkombëtare, sepse janë procese që po zgjasin thuajse 30 vjet! Procese që zgjasin kaq shumë në nivel ndërkombëtar, jo vetëm dëshmojnë dështim nga të gjitha palët, por krijojnë hapësira për mundësi të reja që në fakt mund të jenë në favor të vendeve që kanë kërkuar të anëtarësohen, por mund të kthehen në boomerang për vetë BE si institucion sui generis ndërkombëtar.

Amerikanët që nga fillimet e tyre kanë pasur një rol mjaft të rëndësishëm për të ndërtuar paqen në BE dhe po ashtu edhe për të bërë një kontinent të bashkuar në vlerat e demokracisë dhe të shtetit të së drejtës. Një ndër diplomatët që ka dhënë kontributin më të rëndësishëm për krijimin e Europës të Bashkuar është George Frost Kennan që është një ndër figurat më emblematike të politikës amerikane gjatë Luftës së Ftohtë.

Ai është autori i “telegramit të gjatë”, një dokument i përbërë me 5300 fjalë i dërguar nga Moska në Ëashigton, ku përshkruante strategjinë diplomatike që SHBA duhet të ndiqnin me rivalët komunistë. Gjithashtu, Kennan bën pjesë tek ata politikan që ka favorizuar atë që sot quhet BE. Ai nënvizonte asokohe: “Shpresonim që t’i detyronim europianët të mendonin si europian e jo si shtete me nacionalizëm”.

Plani më i madh i bashkimit të Kontinentit ishte Plani Marshall, sepse e konsideronte Europën si të bashkuar dhe kishte për qëllim që t’i forconte të gjitha vendet që kishin dalë të rrënuar nga Lufta II Botërore. Po ashtu rolë të rëndësishëm SHBA patën me faktin se mundën Bashkimin Sovjetik, e rrezuar Murin e Berlinit dhe e Bashkuan Gjermaninë. Pavarësisht se ka një linjë mendimi se BE është nën produkt i politikës Amerikane, në fakt procesi i kësaj të fundit ka shumë pak ngjashmëri me SHBA e kjo lidhet me faktin se kjo e fundit është Federatë dhe e ka shumë të thjeshtë vendimmarrjen e po ashtu procesi i vendimmarrjes është shumë më efikas dhe më i shpejtë në hapësirë dhe në kohë.

Me luftën Ukrainë-Rusi, si për koincidencë, SHBA po mendojnë që të rikthehen në reflektimet e Kennan në lidhje me marrëdhëniet që duhet të ketë me Moskën! Kjo ka bërë si domosdoshmëri që përtej BE, SHBA të shikojnë versione alternative që forcojnë gjeopolitikën e tyre përballë Moskës e për këtë arsye, ata po i rikthehen influencës së saj në Ballkan dhe jo vetëm, me politikat e tyre personale paralelisht e ndoshta edhe në rivalitet me vetë BE në Kontinent!

“Ballkani Hapur” nuk është vetvete një proces i ngjashëm me BE, sepse nuk mund të prodhoj norma e traktate që do e rregullon si duhet një treg të përbashkët ashtu siç pretendohet nga Shqipëria, Maqedonia e po ashtu edhe Serbia, por në vetvete është një iniciativë shumë e mirë që do të ketë një impakt mjaft të mirë mes vendeve nismëtare, por edhe do të vendoste BE para faktit që nëse nuk reflekton për procesin e anëtarësimit të këtyre vende, atëherë ata vende do të jenë një zonë ekskluzive amerikane e shumë pak europiane!

SHKARKO APP