Operacion antidrogë në Lezhë, zbulohen parcela me kanabis dhe arrestohen 3 persona
Tre persona kanë përfunduar në pranga nga Policia e Lezhës, pasi u zbuluan tre raste të dyshuara të kultivimit të bimëve narkotike në zona të ndryshme të Mirditës dhe Kurbinit.
Operacioni policor është zhvilluar pas kontrolleve të kryera në terren, si nga toka ashtu edhe nga ajri, përmes përdorimit të dronëve. Gjithashtu, ndërhyrja është bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative nga strukturat hetimore. Në aksion morën pjesë efektivë të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisariatit të Policisë Kurbin dhe specialistë të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.
Gjatë kontrolleve u evidentuan tre parcela me bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa, ndërsa në total u asgjësuan 436 bimë.
Në fshatin Sheshaj të Mirditës, policia arrestoi në flagrancë 21-vjeçarin me inicialet J. R., banues në Durrës. Sipas uniformave blu, i riu u kap duke u kujdesur për një parcelë ku ishin mbjellë 222 bimë të dyshuara narkotike.
Një tjetër rast u zbulua në zonën e Kurbinit, ku specialistët e Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Kurbin, vunë në pranga 47-vjeçarin D. N., banues në Fshat Laç. Ai dyshohet se ishte përgjegjës për kultivimin dhe mirëmbajtjen e 151 bimëve narkotike.
Ndërkohë, në lagjen “Rrahu i Pashës” në Laç, u arrestua edhe 44-vjeçarja me inicialet V. M. Pas kontrollit në zonë, policia gjeti 63 bimë Cannabis Sativa, të cilat dyshohet se kultivoheshin prej saj.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha bimët e konstatuara u shkatërruan përmes djegies. Materialet procedurale të tre rasteve i janë dorëzuar Prokurorisë së Lezhës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore.
KOHA JONË SONDAZH

