Operacion antidrogë në Tiranë, arrestohet një person dhe shpallen në kërkim dy të tjerë

Policia e Tiranës ka finalizuar një tjetër operacion kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike, të koduar “Baza”, në vijim të aksioneve për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në këtë fushë.
Gjatë operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasi G.D, 26 vjeç, ndërsa janë shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij, A. A., 26 vjeç dhe D. A., 24 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, tre personat dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin siguruar dhe shpërndanin lloje të ndryshme lëndësh narkotike, të cilat i mbanin të fshehura në ambientet e përbashkëta të një pallati dhe në një automjet të parkuar përballë tij, me qëllim shitjen në doza.
Si rezultat i kontrollit, shërbimet e policisë sekuestruan 1 kilogram e 32 gramë kokainë, 377 gramë cannabis sativa, 13 tableta MDMA, si dhe një automjet tip “Mazda” që dyshohet se përdorej për aktivitetin e paligjshëm.
Operacioni u realizua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pas një pune intensive operative për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë në shpërndarjen e drogës.
Policia bën me dije se vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

