Operacion antitrafik në 5 shtete, 2 të arrestuar në Shqipëri

Policia e Shtetit ka marrë pjesë në një operacioni të gjerë antitrafik të shtrirë në disa shtete dhe në kuadër të të cilit janë arrestuar në total 40 persona.

Në kuadër të operacionit ndërkombëtar “ALBA NOSTRA 2”, i cili është zhvilluar në Itali (qytetet Milano, Pavia, Macerata, Asti) si dhe në Gjermani, Belgjikë, Rumani dhe Shqipëri, policia shqiptare ka arrestuar: Albert Qafa, 51 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në lagjen 14, Shkozet, Durrës. Gani Doku, 48 vjeç, lindur në Mat dhe banues në Sallmone, Shijak, Durrës.

Ata ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma më datë 09.03.2015, sepse Gjykata e Pavias në Itali, ka nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”. Si rezultat i bashkëpunimit midis strukturave të Policisë së Shtetit (Interpol Tirana dhe Sektorin Kundër Trafiqeve të Paligjshme) me Policinë Italiane, si dhe koordinimit me Drejtoritë e Policisë Qarqeve, Durrës, Elbasan dhe Lezhë është bërë arrestimi i këtyre personave në orët e para të mëngjesit të ditës në Durrës, si dhe shpallja në kërkim e një personi të tretë. Në kuadër të këtij operacioni ndërkombëtar janë arrestuar në total rreth 40 shtetas.

Sipas autoriteve italiane shtetasi Albert Qafa, arrestuar sot është një ndër anëtarët kryesorët të këtij rrjeti kriminal. “Operacioni vijon në bashkëpunim të ngushtë me policitë e vendeve partnere“, deklaroi Artur Beu, përfaqësues i Policisë. 

 

SHKARKO APP