Organizator i trafikut të klandestinëve, arrestohet në Korçë 54-vjeçari nga Dibra, subjekt i OFL dhe i dënuar me 25 vite burg në Greqi

Një 54-vjeçar organizator i trafikut të klandestinëve dhe i dënuar me 25 vite burg në greqi u arrestua në Korçë.

Astrit Dedja, nga Dibra rezultoi se ishte organizatori i trafikut të 13 emigrantëve të paligjshëm të kapur më 25 qershor në Çërave të Pogradecit.

Dy ditë më vonë 54-vjeçari ka rënë në prangat e Policisë dhe është zbuluar se ka dhe një dënim në Greqi prej 25 vitesh burg për disa vepra të rënda penale.

Ai akuzohet se në Greqi ka kryer vrasje me paramendim, vjedhje me armë, prodhim e shitje narkotikësh apo dhe largim nga burgu.

Po ashtu rezulton se në nëntor të vitit të kaluar Astrit Dedja është bërë subjekt i OFL-së pasi i është kërkuar të plotësojë formularin e deklarimit të pasurisë pasi ka pasur një dënim për vjedhje në bashkëpunim.

NJOFTIMI NGA POLICIA

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.

Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP-Korçë, kapin dhe ndalojnë një shtetas me rrezikshmëri të lartë, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, në rolin e organizatorit.

I ndaluari, rezulton gjithashtu i dënuar me 25 vite burg në Greqi për disa vepra të rënda penale.

Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 25.06.2021, në fshatin Çërravë, Pogradec, ku u arrestua në flagrancë shtetasi R. K., i cili u kap duke transportuar kundrejt fitimit 13 emigrantë të paligjshëm, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim A. D., 54 vjeç, banues në Dibër, i cili nga veprimet hetimore të kryera rezulton se kishte rolin e organizatorit të kësaj ngjarjeje.

Gjithashtu nga verifikimet e kryera rezulton se Gjykata e Selanikut, Greqi, e ka dënuar shtetasin A. D.,  me 25 vite burg për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Armëmbajtja pa leje”, “Dhunimi i banesës”, “Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, vendim i njohur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër dhe Gjykata e Apelit në Tiranë.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP