OSHEE: Asnjë tolerim për drejtuesit e njësive vendore që nuk paguajnë energjinë

Nga 385 drejtues të njësive të qeverisjes vendore, pas kontrollit në sistem të kontratave individuale, 122 prej tyre kanë rezultuar debitorë, njoftoi sot Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). Këta drejtues vendorë zotëronin 166 kontrata, çka do të thotë se disa prej tyre kanë më shumë se sa një kontratë debitore me OSHEE-në. Në kuadër të procesit të verifikimit, OSHEE njofton se prej ditës së shtunë, energjia është ndërprerë për 83 kontrata debitore, prej të cilave u krye rilidhja për 42 raste më pas, pasi u likujdua debia në arkat e kompanisë. Sipas të dhënave deri mbrëmë, për 41 kontrata që u përkasin 33 drejtuesve vendorë, energjia vazhdon të jetë e shkëputur deri në shlyerjen e detyrimeve të mbartura ndaj OSHEE-së. Ky operator njofton gjithashtu se për 83 kontrata të tjera janë nënshkruar akt-marrëveshjet për shlyerjen e debive me këste, ndërsa nga një pjesë e tyre është likujduar gjithë shuma e detyrimit. Ditën e djelë në arkat e OSHEE-së u arkëtuan 10 milionë lekë të reja detyrime të mbartura nga kontratat individuale të drejtuesve të njësive vendore. OSHEE shpreh vendosmërinë për të rivendosur disiplinën e pagesave dhe për të mos toleruar asnjë rast abuzimi me energjinë elektrike. Për rastet që nuk do të shlyejnë detyrimet, as nuk do të lidhin aktmarrëveshje, OSHEE do t’i drejtohet Këshillit të Ministrave për të marrë masa të mëtejshme, deri në shkarkimin e drejtuesve të njësive vendore që janë debitorë ndaj energjisë që kanë konsumuar, pa e paguar.

SHKARKO APP