Osmani në SHBA: Kam informacione se Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë në javët e fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar nga Uashingtoni se ka “informacione të besueshme” se ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërhyrë kohët e fundit për të parandaluar një përshkallëzim të mundshëm të situatës nga ana e Serbisë kundër Kosovës.
Në një ligjëratë të mbajtur në kryeqytetin amerikan, Osmani theksoi se ndërhyrja e Trump nuk lidhet me ngjarjet e së kaluarës, por me zhvillime “shumë të vona”, duke e përjashtuar kategorikisht vitin 2023 apo më parë.
Ajo rikujtoi gjithashtu sulmin e armatosur në Banjskë të shtatorit 2023, ku një grup paramilitar serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe rreshteri Afrim Bunjaku humbi jetën. Osmani e cilësoi këtë ngjarje si “akt agresioni” i organizuar plotësisht brenda territorit të Serbisë.
“Frenimi dhe parandalimi janë thelbësorë, sidomos kur rreziku është real dhe i provuar”, theksoi presidentja, duke shtuar se nganjëherë për të shmangur krizat nuk mjafton vetëm prania ushtarake, por kërkohet edhe udhëheqje politike dhe vendime të qarta. “Nganjëherë mjafton një telefonatë, një paralajmërim, dhe kjo është ajo që ndodh kur Amerika merr rolin udhëheqës”, u shpreh ajo.
Osmani paralajmëroi se kërcënimet nga Serbia mbeten të vazhdueshme dhe nuk duhen nënvlerësuar. Ajo e akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç për mentalitet të ngujuar në të kaluarën, duke thënë se “është ende i lidhur me mendësinë e viteve ’90”, dhe si provë për këtë solli sulmin në Banjskë.
KOHA JONË SONDAZH

