Pa bërë vaksinat, nuk pranohesh më në universitete
Çdo student që do të hyjë në universitet duhet të paraqesë kartelën e vaksinimit, pasi në të kundërt do i refuzohet regjistrimi. Ligji i ri i miratuar në parlament për luftën ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve infektive për herë të parë e bën të detyrueshëm edhe në universitete.
Përfaqësues të Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë për mediat se kjo masë është një përafrim me legjislacionin evropian. Dhe ata që nuk i kanë kryer të gjitha vaksinat do të duhet të marrin masa. “
Është një përafrim me çdo vend tjetër evropian, të cilat kërkojnë kartelat e vaksinimit dhe një dokument shtesë për të vërtetuar vaksinimin. Ndaj, me këtë ligj ne jemi përshtatur me vendet e tjera. Edhe ata që nuk i kanë bërë vaksinat e detyrueshme sipas kalendarit, normalisht duhet t’i bëjnë. Verifikohen kartelat e vaksinimit e në rast se nuk është përmbushur i gjithë kalendari rekomandohen edhe vaksinat që duhet të bëhen”, u shprehën specialistët.
Duke iu referuar praktikës së ndjekur deri më tani në kopshte e shkolla, të njëjtët specialistë thanë se më pas do të ushtrohen kontrolle nga Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Instituti i Shëndetit Publik nëpër fakultete, ku përveç studentëve do të verifikohen dhe pedagogët.
KOHA JONË SONDAZH

