PAA: Qeveria ka braktisur bujqësinë, harxhon 30 milionë për të fshehur dështimin e saj
Partia Agrare Ambientaliste, PAA me anë të një deklarate për mediat shprehet se qeveria shqiptare ka braktisur bujqësinë.
PAA në këtë deklaratë shprehet se qeveria aktuale harxhon 30 milionë për të fshehur dështimin e saj.
Deklaratë për media e PAA-së:
Bujqësia e braktisur – qeveria harxhon 30 milionë për të fshehur dështimin e saj
Partia Agrare Ambientaliste (PAA) si zëri publik i fermerit, blegtorit, peshkatarit dhe agropërpunuesit shqiptar proteston për neglizhencën e institucioneve shtetërore dhe vonesën e marrjes së masave konkrete në mbështetje financiare të bujqësisë.
PAA në datën 26.06.2020 i kërkoi MBZHR të qartësonte politikat dhe paketat antikrizë për bujqësinë dhe sektorët e saj të cilët po paguajnë dëme te mëdha nga pandemia. Fatkeqësisht edhe pas përgjigjes nga Ministria, dhe sidomos pas shkurtimeve që i është bërë mbështetjes së bujqësisë me aktin normativ të ndryshimeve në buxhetin 2020, konstatohet një strategji mediatike e fshehjes së realitetit duke e zbukuruar atë.
Siç vërtetohet nga debati publik vetëm MBZHR ka realizuar një tender me vlerë 2.913.333 milion lekë për reklama dhe makiazhin e saj politik. Reklamat janë para të keq përdorura aq më tepër në sektorin që po vuan më rëndë dhe më gjatë pasojat e pandemisë.
Sipas analizës së perfomancës buxhetore për periudhën Janar – Prill 2020 rezulton se:
- i) Me rishikimet në buxhet bujqësia ka pësuar ulje të mbështetjes buxhetore me 552 milion lekë dhe
- ii) Shkalla e realizimit të buxhetit gjatë 4 mujorit të parë është më e ulët se në ministritë e tjera.
Më konkretisht MBZHR për periudhën Janar-Prill 2020 ka përdorur vetëm 16% të buxhetit vjetor, por ka (keq) përdorur 25% të shpenzimeve operative, por ka realizuar vetëm 10% të investimeve kapitale që janë jetike për fermerët, blegtorët, agrobiznesin dhe agroturizmin.
Shpenzimet operative ku përfshihen edhe reklamat janë realizuar 1.5 herë më shumë se totali i shpenzimeve dhe 2.5 herë më shumë se investimet publike në bujqësi. Shifrat janë kokë forta dhe hedhin poshtë çdo demagogji dhe arrogancë të financuar nga taksat e shqiptarëve.
PAA i bën thirrje shoqërisë civile dhe ekspertëve të talentuar të qarqeve universitare të nxisin dhe marrin pjesë aktive në strategjinë e daljes nga kriza dhe në strategjinë e zhvillimit afatgjatë të bujqësisë.