Padija se fshehu 1.5 mln $, ish- doganierja e Sarandës hidhet në “kundërsulm” ndaj ILDKPKI

 

Ish-Drejtoresha, Lina Vaso, u veçua mes shumë zyrtarëve të lartë pak ditë më parë kur u kallzua penalisht nga ILDKP se nuk justifikonte 1.5 mln $. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Kontrollit të Interesave i kërkoi Prokurorisë të nisë hetimet mbi këtë rast, gati flagrant.

Ish-drejtoresha e Doganës së Sarandës, do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhe dhe do të ngrejë padi ndaj akuzave të ILDKP-së ndaj saj pak ditë më parë, “për fshehje dhe mos-justifikim të pasurisë.”

Lina Vaso, paralajmëron se do të padisë institucionin e Deklarimit dhe Kontrollit te Pasurive “për shpërdorim detyre dhe prishje imazhi”.  -“Kjo akuzë është e pavërtetë. Unë do të përballem me ILDKP me kallëzim për shpërdorim detyre, pasi ka prishur imazhin tim dhe ka shpifur për një vlerë që nuk ekziston. Gjatë periudhës që unë kam qenë në funksionin e kryetares së degës nuk vërtetohet asnjë pasuri nga ana ime. E gjithë pasuria që unë disponoj si familje dhe, jo unë si Lina Vaso, është e vendosur shumë vite më parë dhe unë do t’i vë në dispozicion Prokurorisë të gjitha dokumentat që disponoj për shantazhet që ILDKP ka kryer ndaj meje.”

Sipas ish-Drejtoreshës së Doganës së Sarandës, e gjithë pasuria e familjes së saj është e ligjshme, por sqaron se i është bërë një rivlerësim. -“Por rivlerësimi që i është bërë në bazë të ligjeve përkatëse ZRPP e Sarandës është rivlerësuar 1 milion euro dhe kjo është e vërtetuar lehtë. I bëj thirrje Prokurorisë të hetojë veprimet e ILDKP dhe presionit karshi meje”.

SHKARKO APP