Pagat e gjyqësorit në ngërç, Bardhi: PD do të votojë kundër propozimit të PS-së

Çështja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve pritet të shkaktojë debate të forta në Kuvend. Opozita akuzon qeverinë dhe mazhorancën se nuk kanë zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kundërshton edhe nismën e deputetëve socialistë për zgjidhjen e situatës. Kreu i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi për Report TV se përgjegjësia për situatën nuk bie mbi sistemin gjyqësor, por mbi qeverinë dhe Kuvendin.

”Ne sot kemi një sistem gjyqësor që nuk merr dot pagat. Kjo nuk është përgjegjësi e sistemit gjyqësor, nuk është përgjegjësi e tyre. Është përgjegjësi e qeverisë dhe Kuvendit që nuk zbaton një vendim të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Bardhi. Sipas tij, moszbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese është i papranueshëm për një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. ”Është e paimagjinueshme në një vend që aspiron BE-në të mos zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Duke komentuar edhe qëndrimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bardhi tha se edhe veprimet e tyre duhen shqyrtuar, por theksoi se përgjegjësinë kryesore e sheh te qeveria dhe Kuvendi. ”Edhe veprimi i KLGJ-së dhe KLP-së ngre pikëpyetje, por përgjegjësia është e qeverisë dhe Kuvendit”, tha Bardhi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sa i përket projektligjit të propozuar nga deputetë të Partisë Socialiste, opozita paralajmëron se nuk do ta mbështesë atë. Bardhi argumentoi se nisma nuk e zgjidh problemin dhe, sipas vlerësimit të ekspertëve të PD-së, bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. ”Propozimi i sjellë nga disa kolegë të PS-së gjithashtu nuk i jep zgjidhje kësaj çështjeje. Në pikëpamjen tonë, edhe ky projektligj është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ai. I pyetur nëse kjo do të thotë se Partia Demokratike do të votojë kundër projektligjit, Bardhi ishte i prerë: ”Padiskutim, sepse në analizën e ekspertëve tanë, nuk përmbush kriteret e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?