Paketa e cigareve, pa markë? Beqaj: Duhet paketim i thjeshtë. Rakacolli: S’jemi gati
Deputeti Ilir Beqaj ka propozuar forcimin e mëtejshëm të ligjit antiduhan, përmes heqjes së markës në paketimin e cigareve, duke hequr asocimin pozitiv të markës në konsumin e duhanit. Sipas propozimit të prezantuar në Komisionin parlamentar të Shëndetësisë, paketat e duhanit duhet të plotësojnë standardet e paketimit të thjeshtë, i cili bëhet në ngjyrat bardhe e zi ose dy ngjyra te tjera në kontrast.
ZV.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli deklaroi se vendi ynë nuk është gati për aplikimin e kësaj mase, duke synuar hartimin e ligjeve që janë të zbatueshëm.
Deputetët e komisionit kërkuan që fokusi të jetë mbrojtja e shëndetit nga produktet e duhanit, dhe jo mbrojtja e industrisë që operon në vendin tonë. Debate pati edhe për paralajmërimet shëndetësore, që duhet të jenë të kombinuara me tekst dhe figurë, për të cilat Rakacolli tha se janë gati për t’u implementuar. Ndërkaq, për t’i lënë kohë industrisë prodhuese të bëjë përgatitjet e nevojshme propozimi i Beqajt është që ndryshimet ligjore të hyjnë në fuqi në 1 janar të vitit 2022.