Paketa e Maleve, ekspertët: Nuk përfitojnë oligarkët, por banorët dhe emigrantët
Paketa e Maleve e cënon ligjin e pronave 7501 dhe sigurinë e pronës dhe a përfitojnë oligarkët? Kreu i Shoqatës së Bujtinave, Kujtim Dervishi, tha se paketa është keqkuptuar. Për të nuk bëhet fjalë për tokat e ndara me ligjin 7501, por për ato që kanë mbetur të lira dhe të papërdorura. Sipas tij, procedura parashikon një afat 45-ditor për pretendime dhe vetëm në mungesë të tyre investitori përfiton të drejtën mbi tokën. Mbi të gjitha, sipas tij, nga kjo Paketë nuk përfitojnë oligarkët por banorët dhe emigrantët
”Unë kam diskutuar edhe me kryeministrin dhe investitorë të ndryshëm që preken ose përfitojnë nga kjo paketë. Shumë njerëz kanë menduar që toka do tu jepet oligarkëve. Por kryeministri e ka sqaruar mjaft mirë që bëhet falë për emigrantët që kanë lënë Shqipërinë ose banorë të atyre zonave që nuk kanë një dokument pronësie për pronat e pretenduara prej tyre. Kryeministri e shpjegoi qartë që për 45 ditë bëhet njoftimi dhe në ditën e 46 nëse nuk ka dalë pretendues për një tokë tjetër, investitori merr dokumentin e pronësisë dhe pretenduesi duhet të merret me shtetin”,-tha Dervishi për ”Report TV”. Në të njëjtën linjë, eksperti ligjor Arbër Hoxha sqaroi se Paketa e Maleve nënkupton që të gjitha tokat që nuk janë ndarë nga ligji 7501 dhe janë të papërdorura deri më sot, mund të merren nga qytetarët që duan të investojnë.
”Me ligjin 7501 toka është dhënë në pronësi, nëpërmjet akteve administrative që sipas vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, përbën titull pronësie. Mos regjistrimi i akteve të marrjes së tokës në pronësi, pranë Kadastrës, nuk sjell humbjen e tokës. Regjistirmi është akt deklarativ por nuk të bën pronar regjistrmi por akti i marrjes së tokës në pronësi. Paketa E Maleve nënkupton që të gjitha tokat që nuk janë ndarë nga ligji 7501 dhe janë të papërdorura deri më sot, e legjitimon qytetarin që ka dëshirë të investojë në një tokë në pronësi shtet mund ti drejtohet organeve ligjzbatuese për të mbrojtur investimin. Nuk është as shfuqizim i ligjit 7501 as një mbivendosje me këtë ligj apo akte të tjera për kthim kompensimin e pronave. Ligji 7501 ka krijuar problematika por është në fuqi edhe sot”,-tha Hoxha në shpjegimin e tij.
I pyetur për situatat në terren, ku banorët në zonat veriore që u është marrë toka me ligjin 7501, pretendojnë kufijtë edhe pa dokumente të plota, Hoxha mohoi çdo ngërç. ”Nuk ka asnjë ngërç, për sa kohë ligji 7501 është ndarë toka për frymë dhe jo mbi bazën e akteve të vjetra. Po flisni për ligjin e kthim-kompensimit të pronave, i cili kërkon lidhje të drejtpërdrejtë me pronën e trashëguar. Nuk ka asnjë konflikt mes Paketës së Maleve dhe ligjit 7501. Përkundrazi, ajo bazohet te ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave si një rrugë e ndërmjetme”, u shpreh ai.
Në fund të intervistës, eksperti theksoi se paketa nuk e zëvendëson ligjin ekzistues, por e plotëson atë. ”Nuk shfuqizohet ligji 7501. Paketa e Maleve u jep qytetarëve të drejtën të investojnë edhe pa dokumente formale dhe në fund të procesit të bëhen pronarë të investimit. Nuk ndikohet ligji 7501, përkundrazi fuqizohet dhe lidhet drejtpërdrejt me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave”, tha Hoxha.
KOHA JONË SONDAZH

