“Paketa e Maleve”, harta e re e zhvillimit turistik dhe industrial në Klos dhe Vau i Dejës
Qeveria ka nisur zbatimin konkret të ligjit të ri “Për paketën e maleve”, duke miratuar hartën e zonave që do të gëzojnë statusin e veçantë të prioritetit për zhvillim ekonomik. Me dy vendime të firmosura nga Kryeministri Edi Rama, Këshilli i Ministrave ka shpallur “Zona me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” sipërfaqe të konsiderueshme në dy bashki: Klos dhe Vau i Dejës. Ky status u hap rrugë investimeve strategjike në turizm, industri dhe ekonomi, duke ofruar lehtësira për bizneset që do të operojnë në këto territore malore.
Zhvillimi i Klosit
Nga Ura e Vashës te Plani i Bardhë Në Bashkinë e Klosit, qeveria ka identifikuar 9 zona kyçe që do të transformohen. Vëmendje e veçantë i është kushtuar zonës së Xibrit dhe asaj të Planit të Bardhë, të njohura për potencialin e tyre turistik dhe historik. Zonat e shpallura prioritare në Klos janë si zona turistike e Xibrit që përfshin “Urën e Vashës-Gujë” (821 ha), “Xibër-Murriz” (411 ha), si dhe pika panoramike si “Maja Kulbot”, “Kodër Thekna”, “Maja e Balzit” dhe “Splaj-Tejlum”. Në Gurrë zona zhvillimore “Zhuri i Arrikut”. Në Klos (qendër), zona masive “Plan i Bardhë-Bejnë-Cerujë-Patin” me një sipërfaqe prej mbi 6,800 hektarësh. Suç, zona zhvillimore “Balgjaj-Suç”.
Vau i Dejës, fokusi te Lugina e Drinit
Në Veri të vendit, Bashkia Vau i Dejës bëhet përfituese e këtij statusi për 6 zona, ku padyshim “perlën” e zhvillimit pritet ta ketë Lugina e Drinit.Zonat e shpallura prioritare në Vau i Dejës janë Lugina e Drinit, pjesë e njësive administrative Temal, Shllak dhe Vau i Dejës, me një sipërfaqe gjigante prej rreth 7,930 hektarësh. Barbullush dhe Bushat, zona me potencial për agroturizëm dhe zhvillim ekonomik. Shllak dhe Mnelë, zona malore të thella që pritet të rivitalizohen. Nënshat, pjesë e njësisë administrative Hajmel.
Çfarë do të ndodhë në këto zona?
Sipas vendimit të qeverisë, në këto territore do të lejohen dhe nxiten tre lloje aktivitetesh kryesore: zhvillimi ekonomik i përgjithshëm, zhvillimi industrial (përpunim produktesh lokale, etj.) dhe zhvillimi turistik (bujtina, hotele, resorte malore). Zbatimi i këtij vendimi i është ngarkuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe bashkive përkatëse, të cilat do të menaxhojnë procesin e dhënies së lejeve dhe regjistrimit të pronave në këto zona prioritare.
KOHA JONË SONDAZH

