Paketa e Maleve, Roka: Aplikuesit do të asistohen nga fillimi i procedurave deri në finalizimin e marrëveshjeve

Drejtuesja e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, e pranishme në takimin e Kryeministrit Edi Rama me banorët e Thethit, ku u diskutua mbi Paketën e Maleve, deklaroi se asistenca e Agjencisë që ajo drejton do të jetë e pranishme që nga momenti i parë i aplikimit deri në finalizimin e marrëveshjes mes pronarëve dhe Ministrisë së Ekonomisë. Roka u bëri apel aplikuesve të Paketës së Maleve që t’u qëndrojnë besnikë projekteve të paraqitura në aplikim, pasi ligji nuk lejon ndryshime të projektit gjatë zbatimit dhe çdo devijim do të konsiderohet shkelje ligjore.

“Duam të vijojmë me një lehtësi shumë të madhe për të gjithë ata që aplikojnë për Paketën e Maleve. Pranë Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, e cila funksionon si sekretariat me qëllim koordinimin e të gjithë procedurës dhe lehtësimin sa më shumë të saj, qoftë edhe për nënshkrimin e marrëveshjes me ministrin dhe më pas certifikimin, kemi ngritur një strukturë të dedikuar për ju. Qëllimi është që të merrni lejet përkatëse brenda një afati kohor proceduralisht në favorin tuaj. Kemi përcaktuar një afat për secilin aplikant që plotëson dokumentacionin, i cili do të jetë i asistuar nga ne. Kemi pasur kërkesa dhe takime me grupe zhvilluesish nga Vau i Dejës dhe zona të tjera, ku kemi dëgjuar problematikat tuaja, jo vetëm për hartimin e projektit, i cili duhet të jetë cilësor, por edhe për procesin vijues të pajisjes me leje”, tha Roka.

Ajo theksoi se aplikuesit duhet të tregojnë kujdes gjatë hartimit të projekteve, pasi ato duhet të përputhen me zbatimin përfundimtar. “Shumë prej jush që keni aplikuar, ndoshta të orientuar gabimisht nga arkitektët lokalë, ju kërkojmë që të na lejoni t’ju ndihmojmë. Ligji ju lejon të aplikoni drejtpërdrejt për lejen e ndërtimit. Asistenca jonë do të jetë në të gjitha hallkat e tjera. Do të asistoheni nga Agjencia për marrjen e të gjitha autorizimeve dhe për t’u pajisur me leje.

Swiss Digital Desktop Reklama

Projekti në AZHT duhet të jetë i njëjtë me atë që do të aplikohet dhe realizohet, pasi kemi pasur raste të ndryshimeve që për ju mund të duken të vogla, por që ligji nuk i lejon. Kemi arkitektë dhe një pjesë të stafit të Agjencisë që do t’ju asistojnë deri në momentin kur do të nënshkruani marrëveshjen me Ministrinë e Ekonomisë”, përfundoi Roka.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?