Paketa e Maleve sjell mundësi të reja për Gjinarin, kryebashkiaku Llatja: Banorët kthejnë pronat në burime zhvillimi
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, zhvilloi një takim me aplikuesit e parë të Paketës së Maleve nga Njësia Administrative Gjinar, të cilët kanë përfunduar me sukses fazën e parë të aplikimit. Bëhet fjalë për 14 banorë të zonës, të cilët kanë marrë statusin e poseduesit mbi tokën e tyre, duke hapur rrugën për investime të reja në agroturizëm, bujtina dhe zgjerimin e kapaciteteve turistike.
Përfituesit e parë të kësaj nisme u shprehën se synojnë të zhvillojnë më tej aktivitetet e tyre përmes investimeve në turizmin malor dhe agroturizëm. Disa prej tyre planifikojnë të ndërtojnë bujtina të reja, ndërsa të tjerë të zgjerojnë aktivitetet ekzistuese, duke krijuar më shumë mundësi për pritjen e vizitorëve.
Një prej sipërmarrësve të zonës, i cili prej më shumë se 30 vitesh është posedues i tokës dhe ka ndërtuar shtëpiza alpine në Gjinar, u shpreh se kjo mundësi do ta ndihmojë për të vijuar investimet dhe për të rritur ofertën turistike të zonës.
Gjatë takimit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi Paketën e Maleve si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonave malore dhe për krijimin e mundësive të reja për komunitetet lokale.
“Paketa e Maleve është ajo që ne presim të na japë një zhvillim të infrastrukturës sonë mikpritëse, të hotelerisë dhe bujtinave. Do të vazhdojmë të ecim përpara për të zhvilluar ekonominë lokale, duke shtuar kapacitetet. Ajo që ne duam është që të rinjtë të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre. Gjithashtu, 500 përfituesit e parë të Paketës së Maleve do të përfitojnë zero taksa”, u shpreh Llatja.
Banorët e Gjinarit e vlerësuan këtë nismë si një mundësi konkrete për zhvillimin e ekonomisë familjare dhe rritjen e mirëqenies së komunitetit. Ata theksuan se vitet e fundit zona ka njohur një rritje të ndjeshme të turizmit familjar dhe atij malor, ndërsa investimet e reja pritet të rrisin kapacitetet pritëse dhe ta kthejnë Gjinarin në një destinacion edhe më tërheqës për vizitorët.
Paketa e Maleve po krijon një mundësi të re që pasuritë natyrore dhe pronat e banorëve të zonave malore të kthehen në burime zhvillimi ekonomik, duke nxitur sipërmarrjen lokale dhe duke sjellë një perspektivë të re për turizmin në Gjinar.
KOHA JONË SONDAZH

