Paketë të tretë ekonomike, Rama mohon veten: Nuk e kam thënë asnjëherë që do të ketë. Por ja videoja që e përgënjeshtron
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk ka thënë asnjëherë që do të ketë një paketë të tretë për rindërtimin e ekonomisë, pas krizës së shpërthimit të pandemisë së COVID-19.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama tha se paketat ekonomike që ka deklaruar kanë ndihmuar qytetarët, ndërsa solli edhe rastin e Serbisë, që sipas tij në xhepat e qytetarëve serbë kanë shkuar pak para në krahasim me atë që u deklaruar nga ana e qeverisë.
“Nuk e kam thënë asnjëherë që do të ketë. Unë nuk numëroj miliona në televizor, por shoh shifrat konkrete dhe disbursimet të të gjitha vendeve. Deklaroi edhe Serbia që ishte edhe më e madhe se e gjithë botës, se ishte para zgjedhjeve, por çfarë u ka shkuar qytetarëve në xhep është komplet tjetër nga ajo. E çfarë janë nga ato shifra kredi e çfarë janë pagesa direkte është një gjë krejt tjetër”,-tha Rama.
Por ja çfare ka deklaruar Edi Rama me 13 prill 2020
“Do jemi gati në 23-25 maj për paketën e tretë. Pra çdo përfitues do të mbështetet për të rezistuar pa makthin e zbrazjes së arkës deri në fund të majit. Është konsideruar si një pagesë e vetme. 10 mijë nga turizmi, 66 mijë punojës që janë larguar nga biznesi i madh, si dhe 100 mijë punonjës nga bizneset e vogla që nuk përfituan nga paketa e parë”, u shpreh Rama.